Profesori i shkencave politike, Basri Muja, ka thënë se fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka qenë e befasishme me numrat me të cilët ka dalë fituese. Ai ka shtuar se ka pritur që ajo të dalë e para, por jo me mbi 49 për qind.
Muja ka thënë se rezultatet e zgjedhjeve janë si rrjedhojë e nëntë muajve bllokade politike, derisa ka treguar pse sipas tij dështuan partitë e tjera.
“Janë tri arsye kryesore pse opozita ka dështuar në këtë fazë. Kanë dështuar të dalin me një opsion të përbashkët politik, kanë qenë totalisht të fragmentuar, kanë dështuar të ofrojnë emra të rinj, kauza të reja”, ka thënë ai.
Muja nuk pret që të ketë më bllokada në Kuvend, pasi siç ka thënë, me rezultatet e tanishme Kuvendi mund të konstituohet shumë lehtë. Ai ka theksuar se kryetari i VV-së, Albin Kurti, duhet të jetë më i kujdesshëm në përzgjedhjen e kabinetit qeveritar.
“Shpresoj që Kurti do të jetë më i kujdesshëm në përzgjedhjen e anëtarëve të kabinetit të tij. Me pak përjashtimit, ministrat e tij nuk kanë treguar përformancë të mirë dhe janë plot ministra që janë përfolur dhe shpresoj që Kurti e ka marrë mesazhin”, potencoi ai në “60 Minuta”.
Ndërkaq për çështjen e presidentit, Muja ka thënë se Vetëvendosja e ka luksin të propozojë emër tjetër përpos Vjosa Osmanit edhe për një mandat.
“Gatishmëria e saj (Vjosa Osmani) është politikisht e kuptueshme dhe legjitime. Thelbësore është nëse VV do ta përkrahë, VV e ka luksin ta propozojë edhe dikë tjetër, një person konsensual që përveç opinionit të brendshëm do të ishte i pranueshëm edhe për partnerët ndërkombëtarët, sepse nuk besoj që partitë opozitare do jenë problem në këtë drejtim”.