Arbëri

Muja: E kam pritur arrestimin e kryeshefit të KEK-ut

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka deklaruar se e ka pritur arrestimin e kryeshefit të Korportatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqit.

I ftuar të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Muja ka thënë se ky arrestim për të ka qenë i pritur pasi, sipas tij, në 10 vjetët e fundit është krijuar një mafia energjetike.

“E kam pritur sepse gjatë komisionit hetimor që kemi pasur, e kam parë që në 10 vjetët e fundit është krijuar njëfarë grupi i interesit brenda vendit, do të thoja një mafia energjetike e lidhur me tri partitë në pushtet PDK, LDK dhe AAK, e që kanë qenë të lidhura po ashtu edhe me kompani serbe”, ka thënë ai, duke shtuar se vitet e fundit të gjitha kontratat e mëdha kapitale, synohet të nënshkruhen me kompani perëndimore.

Muja ka shtuar se brenda 10 vjetëve të fundit, Komisioni Hetimor ka vërejtur se në KEK janë nënshkruar mbi një miliard euro kontrata, teksa ka akuzuar ish-drejtorin e KEK-ut, Njazi Thaçi për kontrata të dyshimta.

“Në 10 vjetët e fundit në bazë të konkluzioneve të Komisionit Hetimor, në KEK janë nënshkruar diku mbi 1 miliard euro kontrata. Drejtorët e KEK-ut deri në vitin 2008 kanë zbatuar më tepër projekte kapitale sesa kryeministrat e vendit dhe aty tashmë është krijuar një bos kryesor, bosi i krejt këtij procesi që nga viti 2007 deri më 2020 ka qenë Njazi Thaçi së bashku me kompaninë “Intering” dhe “Eco Trade” të familjeve Zhugolli dhe Shoshi”, ka thënë ai, teksa ka theksuar se shifrat më të mëdha të kontratave në KEK janë nënshkruar gjatë kësaj periudhe.