Arbëri

Muja: Bllokadat fillimisht ishin lojë e PDK-së, pastaj u bënë të LDK-së

Armend Muja,

Armend Muja, ish-deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë lojëra me marrëveshjet ndërkombëtare në vitin e fundit të Qeverisë Kurti “si taktikë për të bllokuar kundërshtarin politik”. Megjithatë, sipas tij, në dy-tri vitet paraprake bllokuese ka qenë vetëm Partia Demokratike e Kosovës.

Sipas tij, VV-ja ka ndërmarrë disa veprime “për të zhbllokuar” çështjen e buxhetit të shtetit, por edhe të tri komunave për vitin 2025.

Të martën, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u shpreh se ka ofruar votat e kësaj partie në ditën e nominimit të Glauk Konjufcës për kryeministër, për votim në pako në Kuvend për çështjet e buxhetit dhe ligjeve të tjera, por sipas tij, nuk ka pasur lëvizje nga pushteti edhe pse i është thënë paraprakisht se janë pro.

E sipas Mujës “kjo ka qenë vetëm lojë”.

“Ne kemi ftuar seancë pikërisht për këtë pako. Ka shkarje logjike. Pikat ishin të ndara por mund të votonin. Por nuk erdhën fare. Kur dështoi mandatari bëmë prapë insistim që të bëhet bile votimi i tyre prapë nuk pati përkrahje. Gjykoj që ky ka pasur një çështje për datën e zgjedhjeve. Ka tentuar ta kushtëzojë përkrahjen me datën e zgjedhjeve”, ka thënë Muja të enjten në “Konfront”. “E them me përgjegjësi të plotë, këto lojëra me marrëveshje ndërkombëtare i kanë provuar çdo fundvit si taktizim për të bllokuar kundërshtarin politik. Ka qenë e PDK-së në dy -tri vitet e para e në vitin e fundit u bë taktikë e të gjithëve”.

Muja ka thënë se po që se ka dashur që të kalonte ndonjë pikë të caktuar, LDK-ja ka mundur të thërrasë edhe seancë për vetëm një pikë.

Sa i përket buxhetit të bllokuar të kryeqytetit, Muja ka thënë se bëhet fjalë për bllokada të qëllimshme, joprofesionalizëm e sjellje nonshalante të kryetarit Përparim Rama.