Arbëri

Muhaxhiri për moskonstituimin e Kuvendit: Zgjidhje me këta njerëz dhe këto qëndrime nuk ka

Njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, ka thënë se situata e krijuar me moskonstituimin e Kuvendit e ka humbur çdo kuptim. 

Sipas tij, nuk ka asnjë logjikë kjo që po ndodh çdo 48-orë.

I ftuar në “60 Minuta” të KTV-së, Muhaxhiri ka thënë se me këto veprime duket që asnjëra parti nuk dëshiron ta marrë pushtetin.

“Kjo situatë i ka humbur të gjitha kuptimet, edhe kuptimin politik, edhe kuptimin normal edhe kuptimin e garës, edhe kuptimin e moralit, pra nuk ka më asnjë kuptim, asnjë logjikë kjo çka po ndodh. Nuk ka asnjë lloj gare se kush do ta marrë pushtetin, përkundrazi është krejtësisht ana tjetër, as fituesi i zgjedhjeve e as partitë e tjera. Në anën tjetër ka një lloj tentimi për fajësim reciprok. Nuk ka asnjë zë racional, të arsyes dhe është bërë një situatë e pakuptimtë”, ka thënë ai.

Muhaxhiri ka shtuar se kjo situatë më shumë ka nevojë për një diagnozë psikologjike sesa për një politike.

“Është përtej të gjitha llojeve të politikave. As ata vetë nuk e kuptojnë se çka dëshirojnë të arrijnë”, ka thënë ai.

Sipas tij, zgjidhje me këta njerëz dhe me këto qëndrime nuk ka. 

“Kjo bllokadë do të vazhdojë përjetësisht nëse nuk ka ndonjë ndryshim... Një parti që i fiton 42% nuk ta fal ty postin e kryeministrit sepse ka edhe përgjegjësi ndaj kësaj përqindjeje të votuesve. Z.Kurti nuk e lë postin e kryeministrit”, është shprehur ai.