Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka pasur ankesa për ministrat e Qeverisë Kurti, për të cilët ka thënë se nuk e hapin kurrë telefonin.
Muharremaj ka vlerësuar se me këtë qeveri është komunikimi më i dobët sesa me qeveritë e kaluara. Sipas kryetarit të Suharekës, ministrat e Qeverisë Kurti ndonjëherë nuk i kthejnë as emailat.
“Respektoj çdo qeveri, krejt ministrat i pres në aspektin protokollar. Por me këtë qeveri, ndoshta është komunikimi më i dobët se qeveritë e kaluara. Jo vetëm unë, por edhe disa prej kryetarëve të komunave besojmë se jemi injoruar. Kjo ndryshon prej qeverive të kaluara. Në qeveritë e kaluara, kam thirr ministra në telefon në ora 22 apo 23 të natës. Tash, nuk e hapin asnjëherë telefonin ministrat. Ndoshta i kanë mënyrat më zyrtare. I shkruajmë emaila, herë na kthejnë, e herë s’na kthejnë”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Për ndarjet buxhetore, për të cilat pushteti u kritikua se ka favorizuar komunat që udhëheq vetë, Muharremaj ka thënë se është fond shumë i vogël. Suharekës i janë ndarë vetëm 100 mijë euro nga ky buxhet.
“Ashtu kanë menduar, ashtu kanë bërë, ne vazhdojmë me punët tona. Nuk i përulem në gjunjë, vazhdojmë me projektet tona”, ka shtuar ai.
Muharremaj ka thënë se sivjet kanë realizuar 80 për qind të buxhetit dhe është shprehur shumë i kënaqur me punët që janë bërë në Suharekë.
Si sfidë për vitin e ardhshëm, Muharremaj e ka vlerësuar problemin me qentë endacakë. Për këtë, ai ka thënë se pret ndihmën e nivelit qendror.