Ministria e Shëndetësisë ka thënë se do t’u japë “mbështetje të vazhdueshme” angazhimeve për ndriçimin e pretendimeve për keqpërdorim dhe abuzim në emër të pacientëve që janë trajtuar jashtë vendit, përmes Programit të Trajtimit Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike.
KOHA ka nisur qe më shumë se një javë publikimin e serisë së hulumtimit për abuzimet me këtë program. Hulumtimi disamujor ka ngritur dyshime për keqmenaxhim e humbje të madhe të parasë në kurriz të pacientëve të sëmurë rëndë, e që s’gjejnë shërim në Kosovë. Hulumtimi zbardh raste kur faturat që vijnë nga spitalet, kryesisht në Turqi, janë më të shtrenjta se profaturat. Familjet e pacientëve në shumicën e rasteve s’kanë qasje në fatura. Ka raste kur familjarë të pacientëve rrëfejnë për keqpërdorime e se si s’i kanë marrë trajtimet për të cilat shteti mori obligim e se si kanë paguar mjete shtesë për trajtim. Dy agjenci, nga rreth 10 sa lëshojnë profatura, janë nën pronësi të një personi të akuzuar për korrupsion. E borxhi i përgjithshëm mbahet fshehtë. Teksa Fondi në përgjigje zyrtare thotë se është më pak se 2 milionë euro, Qeveria thotë se është afër 10, Bordi Ekzekutiv në fund të vitit të kaluar ka përmendur shifrën prej 28 milionë eurove.
Në pyetjen se si i komenton raportimet, MSH-ja është shprehur se “i mbështet” angazhimet për ndriçim të pretendimeve. S’ka treguar në çfarë mënyre do t’i mbështesë përpjekjet për zbardhje të rasteve të tilla apo nëse ka ndërmarrë ndonjë veprim.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë, do t’u jap mbështetje të vazhdueshme angazhimeve për ndriçimin e çfarëdo pretendimi që ka të bëjë me keqpërdorim dhe abuzim në emër të pacientëve që janë trajtuar jashtë vendit, përmes Programit të Trajtimit Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
MSH-ja ka thënë se ajo dhe Fondi e kanë me rëndësi transparencën rreth rasteve që kanë kaluar nëpër këtë program. Megjithatë, Fondi nuk ka ofruar qasje në dokumente të tilla edhe pse KOHA ka bërë kërkesë për shumë vjet.
“Për Ministrinë e Shëndetësisë dhe për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, është me rëndësi të madhe transparenca rreth rasteve që kanë kaluar nëpër Programin e TJISHP si dhe lehtësimi i marrjes së shërbimeve shëndetësore për pacientët kudo që ata kanë shkuar dhe kanë kërkuar apo marrë trajtim mjekësor. Me përgjegjësi të plotë, themi se MSh, është për të mbështetur kërkesat e pacientëve dhe realizimin e tyre brenda kuadrit ligjor që ka të bëjë me këtë program, përmirësimin e funksionit të tij dhe të mbikëqyrjes me qëllim që pacientët të marrin shërbime ashtu siç janë procedurat e programit”, thuhet në përgjigjen e MSH-së të dërguar të hënën në mbrëmje.
Edhe
Spitalet turke refuzojnë garancitë e Kosovës, pacientëve u rrezikohet jeta
Të martën, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), bëri thirrje të martën, që të shkarkohet ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, pas parregullsive të institucionit që udhëheq, të zbuluara nga KOHA. Në komunikatën dërguar mediave të martën, KMDLNJ-ja deklaroi se ministri Latifi është i papërgjegjshëm profesionalisht dhe menaxher i dobët, “që me angazhimin e tij prej aventurieri dhe bredhacaku të përmasave ndërkombëtare, vetëm sa po e thellon krizën e shëndetit publik”.
Pas publikimit të hulumtimit, Prokurori i Shtetit ka njoftuar për nisjen e hetimeve.
-
Turqisë nuk i është ngritur shqetësimi për abuzim me paratë për shërim jashtë vendit
-
Latifi: Bordi i Fondit për Trajtim Jashtë Vendit do të ketë ndryshime serioze
-
Qeveria: Do të marrim të gjitha masat, abuzimet në fond do të hetohen
-
Latifi paralajmëron masa kundër “kriminelëve që pasurohen në kurriz të pacientëve”