Arbëri

MSH-ja miraton vaksinimin me dozë të tretë të personave mbi 12 vjeç

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar se ka aprovuar dhënien e dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19 për personat mbi 12 vjet.

Dozën e tretë mund ta marrin personat që kanë marrë dozën e dytë së paku pesë muaj më parë.

Deri më tash vaksinimi me tri doza ishte i lejuar në Kosovë për personat mbi 18 vjet, ndërsa për grupmoshën 12-17 vjet lejoheshin dy doza.

MSH-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, ndërsa ka shtuar se ditëve të fundit është shënuar rritja e numrit të rasteve.

“Vaksinimi kundër COVID-19 vazhdon të kryhet në njësitë e vaksinimit në kuadër të Kujdesit Parësor Shëndetësor nëpër komunat e Kosovës. Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen pa asnjë rezervë, sepse ditëve të fundit është shënuar rritje e rasteve të reja me COVID-19, ndërsa vaksinimi është dëshmuar të jetë mënyra më e mirë dhe më efikase për të parandaluar infeksionin nga COVID-19, format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet nga COVID-19”, thuhet nga MSH-ja.

Aktualisht në Kosovë janë 213 raste aktive me COVID.