Arbëri

MPJD-ja i jep vërejtje ish-ambasadorit që përdori titullin edhe pas përfundimit të mandatit

Prezantimi nën titullin e ambasadorit edhe pse një gradë të tillë nuk ia ka dhënë asnjëherë dikasteri që përfaqëson, i ka kushtuar me vërejtje ish-ambasadorit të Kosovës në Norvegji, Uliks Emra. Por një institucion i pavarur ka konstatuar se Ministria ka qenë në dijeni për thirrjen e Emrës me këtë titull, dhe se vërejtja i është dhënë shumë javë pasi ai ka marrë pjesë në një takim në emër të Ministrisë së Jashtme. Në MPJD ka edhe raste të tjera kur zyrtarë në mënyrë të paautorizuar kanë zhvilluar takime në emër të institucionit

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka shqiptuar vërejtje një zyrtari të saj, i cili ka vazhduar të paraqitet nën titullin e ambasadorit edhe pasi i ishte ndërprerë mandati. Ish-ambasadorit të Kosovës në Norvegji, Uliks Emra, pas një sërë e-maliash të shkëmbyer me zyrtarë të Ministrisë dhe me palë jashtë këtij dikasteri, zëvendëssekretari Behar Isma ka vendosur t’i shqiptojë vërejtje. Kjo është bërë me arsyen se Emra ka cenuar funksionimin e institucionit duke e përdor titullin pa qenë ambasador.

Në MPJD e kanë arsyetuar masën me atë se Emra e ka shkelur Ligjin për zyrtarët publikë.

“Të drejtën për t’u thirrur në titullin e ambasadorit e gëzojnë të gjithë ata që e kanë gradën diplomatike ambasador ose që gjatë një mandati të caktuar kryejnë funksionin e ambasadorit. Këtë të drejtë nuk e kanë zyrtarët publikë, të cilët as nuk e ushtrojnë funksionin e ambasadorit dhe as nuk e kanë gradën diplomatike ambasador. Detyrim bazik i çdo zyrtari publik është prezantimi korrekt, qoftë brenda institucionit, qoftë në komunikim me palët e treta”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së. “Prezantimi me tituj të gabuar trajtohet si sjellje e parregullt dhe cenim i funksionimit institucional, i cili bie në kundërshtim me paragrafët 4.3 dhe 4.4 të nenit 46 të Ligjit për Zyrtarët Publik (në fuqi, në atë kohë). Veprimet e zyrtarëve publikë, të cilat bien ndesh me ligjin, paraqesin në rastin më të mirë shkelje disiplinore”.

Në Ministri kanë sqaruar se gradat diplomatike, në përputhje me nenin 28 të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm, jepen nga Komisioni për Grada dhe Disiplinë. Sipas tyre, përjashtim bën grada diplomatike e ambasadorit, e cila jepet me propozim të Qeverisë dhe miratim të presidentes dhe është grada më e lartë që mund t’iu jepet anëtarëve të shërbimit të jashtëm.

“Emërimi dhe dekretimi i një personi në pozitën e ambasadorit në ndonjë mision diplomatik jashtë vendit nuk nënkupton që i njëjti të ketë fituar gradën diplomatike ambasador. Në pozitën e ambasadorit nuk dekretohen vetëm personat që kanë gradë diplomatike ambasador, por edhe personat e tjerë me grada më të ulëta diplomatike apo pa grada fare, siç mund të jenë të emëruarit politikë. E drejta për t’u thirrur në këtë titull përfundon në mënyrë të natyrshme menjëherë pas përfundimit të mandatit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Nga Këshilli thonë se Ministria nuk ia tërhoqi vërejtjen Emrës

Gazeta ka provuar të marrë një qëndrim nga Emra, i cili tash ushtron postin e drejtorit për organizata në MPJD. Por ka kërkuar që KOHA t’i drejtohet zyrës për media në MPJD dhe t’i referohet vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës lidhur me rastin e tij.

Këshilli i Pavarur ia ka anuluar MPJD-së masën e shqiptuar ndaj Emrës.

Në përshkrimin që Këshilli i ka bërë rastit, gjithçka nis me një ftesë që Emra kishte pranuar për të marrë pjesë në një takim në Oslo të Norvegjisë, në cilësi private dhe si ish-ambasador, duke mos e përfaqësuar asnjë institucion. Atij i ishte dërguar ftesa nga Këshilli Shqiptar në Norvegji, derisa pjesëmarrjen e ka realizuar përmes platformës ‘zoom’. Sipas Këshillit, lidhur me ftesën ishte njoftuar edhe ambasadorja aktuale e Kosovës në Oslo, e cila madje kishte mirëpritur pjesëmarrjen e Emrës.

“Të njëjtit vërejtja i është dhënë pas më shumë se dy muajve pas marrjes pjesë të ankuesit në aktivitetin e organizuar nga Këshilli Shqiptar në Norvegji të datës 18.03.2023 me pretendimin se i njëjti pas përfundimit të mandatit vazhdon të thirret edhe prezantohet në komunikimet zyrtare si Ambasador, përkundër që grada e tij diplomatike nuk është e tillë, dhe se komunikimi dhe pjesëmarrja në aktivitete pa autorizim dhe prezantimit si ambasador të z. Emra që i ka realizuar me stafin e MPJD dhe me palët e jashtme përbëjnë shkelje ligjore”, shkruan në vendim. “Vlen të theksohet fakti se ankuesi në komunikimin e tij zyrtar po ashtu për të cilat i është dhënë vërejtja nga mbikëqyrësi i tij i drejtpërdrejtë, në këtë rast zëvendësuesi i sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nga i njëjti asnjëherë nuk është tërhequr vërejtja se i njëjti duke vepruar në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë që ka aktualisht si Drejtori i Departamentit për Organizata Ndërkombëtare’ në kuadër të Departamentit për Organizata Ndërkombëtare, pas përfundimit të mandatit si Ambasador i Republikës së Kosovës në Oslo të Norvegjisë”.

Po ashtu në vendim, Këshilli ka konstatuar se nuk ka gjetur ndonjë shkresë bazuar në përgjigjen e marrë nga njësia e burimeve njerëzore në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, me të cilën ankuesit i është tërhequr vërejtja nga ana e institucionit apo mbikëqyrësit të tij të drejtpërdrejtë lidhur me pretendimin se ai në komunikime zyrtare prezantohet si Ambasador.

Rastet e tjera ku Ministria ndëshkoi diplomatët

Ky nuk është rasti i vetëm kur MPJD-ja ka tentuar t’i disiplinojë diplomatët që kanë zhvilluar komunikime dhe takime të paautorizuara.

Takimet e “paautorizuara” me amerikanët e mosbindja ndaj urdhrave të zëvendëssekretarit - janë ndër arsyet për të cilat Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës pati marrë vendim për përjashtimin e ish-drejtorit të përgjithshëm, Albert Prenkaj.

Me gjithë vendimin e Gjykatës Themelore, që e cilësoi të jashtëligjshme shuarjen e pozitës së Prenkajt, një komision i MPJD-së e përjashtoi atë nga shërbimi civil. Ndër arsyet e listuara është se Prenkaj ka caktuar dhe mbajtur takim jashtë institucionit dhe nivelit të pozitës. Në shkresën që Prenkaj e kishte deponuar pranë Komisionit, i cili e përjashtoi, përmenden takimet me përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, në mars dhe në shtator 2022.

Në MPJD nuk kanë treguar nëse ka edhe raste të tjera të ngjashme për të cilat kanë marrë masa.

“MPJD ka marrë në vazhdimësi masat e nevojshme për ta ndalur këtë praktikë të kundërligjshme dhe të dëmshme dhe do të vazhdojë edhe më tej gjitha rastet e tilla që mund të shfaqen”, kanë thënë nga ky institucion.

Sipas Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, së paku pesëdhjetë për qind të emërimeve të ambasadorëve dhe shefave të misioneve duhet të bëhet nga anëtarët në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës. Diplomatët e karrierës u nënshtrohen procedurave për marrjen e gradave, ku më e lartë është ajo e ambasadorit. Pjesa tjetër e të emëruarve mund të jenë të emëruar politikë. Sipas ligjit, të emëruarit politikë shërbejnë vetëm një mandat katërvjeçar dhe pas përfundimit të tij, Ministria nuk ka obligim për sistemimin e tyre brenda këtij dikasteri.

Pas propozimit të Ministrisë së Jashtme, që bëhet në koordinim me kryeministrin, të emëruarit me çelës politik dërgohen në Komisionin për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës. Ky komision pastaj i dërgon emrat në Presidencë, ku pason dekretimi nga ana e presidentit. Por procedura nuk përfundon me kaq. Shteti pranues duhet të japë pëlqimin për ambasadorin e ri, procedurë kjo që mund të marrë disa muaj kohë.