Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

MPJ e Shqipërisë largon ose transferon rreth 50 diplomatë

Gjatë një deklarate për mediat, ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, u shpreh se do të largohen nga detyra rreth 50 diplomatë si dhe 20 konsuj nderi.

“Reforma në diplomaci është e rëndësisë thelbësore sepse ndërmarrja jonë reformatore është në një trajektore të pakthyeshme. Sot komunikoj para jush largimin nga detyra, ndryshimin e funksioneve në detyrë apo transferimin e menjëhershëm të angazhimeve aktuale për më tepër se 50 diplomatë shqiptarë. Ndonëse vendimi për ta do merret menjëherë arsyet që kanë çuar për ta nuk janë identike. Disa prej lëvizjeve janë thjesht të diktuara nga nevojat reale të punës dhe për shkak të domosdoshmërisht të performancës së ministrisë në përgjithësi dhe nëpërmjet MEPJ në çdo rrethanë. Disa prej tyre për shkak të shfaqjeve disiplinore, tejkalim kompetencave, shpërfillje të detyrave në punë, apo shpërfillje të normave diplomatike dhe cenim të imazhit të Shqipërisë nuk do të jenë më aty ku janë. Qëndrimi në diplomaci kërkon sjellje korrekte dhe avancimi në detyrë me dëshmim profesional.

Mbi 20 konsuj nderi të Shqipërisë nëpër botë s’do të jenë më përfaqësues të nderit të Shqipërisë nëpër botë. Konsujt e Nderit, dhe këtu dua të shmang çdo keqkuptim janë aset i vlefshëm i shtetit shqiptar, ata kompensojnë një punë të madhe sidomos në vendet ku Shqipëria nuk ka ambasada., japin një mbështetje të patjetërsueshme. Për të gjithë Konsujt e Nderit nëpër botë respekt dhe faleminderit përulësisht. Për të tjerët në largim e sipër faleminderit shumë për kontributin. Konsujt e nderit duhet të jenë një komunitet shërbimesh dhe jo privilegjesh, lidhur me trajtimet e posaçme që kanë dorëzuar qoftë zyrtarë që nuk i kanë merituar, qoftë përfaqësues grupe të interesit kjo çështje duhet të marrë fund”, tha Cakaj.

Ai falënderoi të gjithë diplomatët për punën që bëjnë por theksoi se qëndrimi në shërbim diplomatik kërkon sjellje korrekte. Gjithashtu ministri paralajmëroi se 80% e konsullatave të Shqipërisë në botë do të ndryshojnë për shkaqe strukturash dhe për rritje të shërbimeve.

Ndërsa për të gjithë ata diplomatë të rinj, që duhet të punojnë në konsullata, Cakaj tha se duhet të trajtohen fillimisht në akademi për shërbimet konsullore./abcnews.