Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gent Cakaj jep dorëheqje, mohon se i bashkohet ndonjë partie në Kosovë

Ministri në detyrë i Evropës dhe Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj ka dhënë sot dorëheqje. Ai këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook.

“Pas përfundimit me shumë sukses të kryesisë së OSBE-së, hapjes së negociatave për anëtarësim me BE-në, punës së jashtëzakonshme për të siguruar një ulëse në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023, zbatimit të një sërë masash të pashembullta për ngritjen e faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, si dhe duke qenë se Shqipëria është në pragfushatë zgjedhore, ku unë nuk synoj të angazhohem si kandidat për deputet, konsideroj që kapitulli i shërbimit tim në krye të diplomacisë shqiptare është i përfunduar”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se angazhimi i Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin e forcuar marrëdhënien me shqiptarët në rajon duhet të vazhdojë me çdo kusht apo çmim.

“Dua të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim ndaj Kryeministrit Rama, për besimin e dhënë dhe bashkëpunimin e ngushtë në rrethana jo të lehta për Shqipërinë. Po ashtu, u jam shumë mirënjohës të gjithë bashkëpunëtorëve dhe stafit të MEPJ, për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin e përbashkët, për të ndërtuar një sistem diplomatik të denjë për ambiciet e Shqipërisë evropiane dhe të pakompromis në mbrojtje të interesit qytetar e kombëtar”, ka shkruar ai.

Cakaj ishte emëruar në këtë detyrë më 28 dhjetor të vitit 2018.

Ndërkaq kryeministri Edi Rama ka falënderuar Cakajn për angazhimin e tij në krye të kësaj detyre. Ai ka njoftuar se në vendin e tij do të kalojë te Olta Xhaçka ndërkaq në Ministrinë e Mbrojtjes do të emërohet Niko Peleshi.

Edhe Cakaj dorëzon detyrën, Rama thotë se ai kreu punën “në kushte të një ngërçi” Arbëri Cakaj dorëzon detyrën, Rama thotë se ai kreu punën “në kushte të një ngërçi”

“Dua ta falënderoj me mirënjohje Gentin jo vetëm për dinjitetin në kryerjen e detyrës së derisotme, po edhe për gatishmërinë e plotë për të vijuar përpjekjen e përbashkët, duke u rikthyer në kabinetin e kryeministrit. Ndërkohë Niko Peleshi do të drejtojë ministrinë e mbrojtjes. Pas një periudhe intensive pune në kryesimin e OSBE si edhe punës së madhe me përkushtim e profesionalizëm të Gent Cakajt si ministër në detyrë, ky është momenti për t'ia kaluar bashkërisht stafetën Olta Xhaçkës që të kryejë detyrën e ministres për Europën dhe Punët e Jashtme”, ka shkruar ai në Twitter.

Cakaj i ka mohuar zërat që thonin se do i bashkohej Partisë Demokratike të Kosovës.

“Jo, janë lajme të rreme. Nuk planifikoj të bëhem pjesë e asnjë partie politike në Kosovë”, i ka thënë Cakaj Kohës.