Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

MPJ e lë për ditën e fundit të afatit ligjor informimin e Malit të Zi për demarkacionin

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka dërguar një sqarim për media në lidhje me artikullin e sotëm të Radios Evropa e Lirë ku u tha se Kosova ende nuk e ka njoftuar zyrtarisht Malin e Zi për përfundimin e procedurave të brendshme sa i përket ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit të kufirit.

MPJ, në sqarim, thotë se njoftimi zyrtar ndaj institucioneve respektive të Republikës së Malit të Zi në lidhje me përfundimin e të gjitha procedurave të brendshme ligjore të ratifikimit të Marrëveshjes mbi kufijtë shtetërorë të mes të dyja vendeve “do të bëhet brenda afatit të përcaktuar Ligjor, respektivisht 15 ditë pas publikimit të kësaj Marrëveshje në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”.

“Publikimi i Ligjit mbi ratifikimin e Marrëveshjes së lartpërmendur është bërë në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës më 15 maj, 2018. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, do të njoftojë autoritetet e Malit të Zi nëpërmjet kanaleve diplomatike dhe në formë të shkruar për plotësimin e procedurave të brendshme dhe për hyrjen në fuqi të kësaj Marrëveshje”, thotë MPJ në sqarimin dërguar mediave.

Ndërkaq, në një përgjigje për REL-in, Qeveria e Malit të Zi thotë se Marrëveshja për kufirin shtetëror ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës hyn në fuqi ditën e marrjes së njoftimit të fundit me shkrim të dërguar nëpërmjet kanaleve diplomatike përmes së cilave palët e informojnë njëra-tjetrën për përfundimin e procedurave të tyre të brendshme ligjore.

“Presim që Republika e Kosovës zyrtarisht ta informojë Malin e Zi për përfundimin e procedurave të saj të brendshme të nevojshme për hyrjen në fuqi të kësaj Marrëveshje, duke pasur parasysh se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Malit të Zi.

Artikuj të ngjashëm