Temperatura mesatare që ka mbizotëruar në Kosovë në vitin 2021 ka qenë 10.9 gradë celsius, ka njoftuar Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës në emisionin SOT në KTV.
Të mërkurën ai ka dhënë të gjitha karakteristikat për motin që ka mbizotëruar sivjet në Kosovë.
Temperatura më e lartë e regjistruar ka qenë 39 gradë celsius, ndërsa më e ulëta -14 gradë celsius e regjistruar më 14 shkurt. Maksimalet janë regjistruar në Gjakovë e Prizren, por sivjet edhe Kamenica ka regjistruar temperaturë të lartë me maksimalen e arritur 38.5 gradë celsius.
Ali ka thënë se sivjet në Kosovë asnjëherë s’është regjistruar temperaturë 40 gradë celsius.
Sipas tij, kanë qenë plot 2200 orë me shkëlqim të diellit. Kjo paraqet rritje të konsiderueshme në krahasim me vitet tjera. Nga 21 qershori deri në shtator temperatura ka qenë mbi 30 gradë celsius.
Në janar ka pasur më së shumti reshje me 162 litra për metër katror, e gushti me më së paku me 16 litra për metër katror.
Era ka pasur shpejtësi deri në 22 metra për sekondë.