Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Socialdemokrate, ka thënë se partia e tij do të preferonte një listë të përbashkët të partive opozitare për zgjedhjet parlamentare të ardhshme. Ai ka thënë se nga zgjedhjet e fundit parlamentare të 9 shkurtit e deri tash nuk ka ndryshuar asgjë që PSD-ja t’i futet garës së caktuar për 28 dhjetor.
“Zgjedhjet e 9 shkurtit nuk prodhuan asgjë, përveç bllokadave dhe konflikteve e dëmeve. Mbetet të marrim vendim të ri. Javën e ardhshme do ta marrim vendimin përfundimtar. Personalisht mendoj se nuk ka ndryshuar asgjë që PSD-ja t’i futet kësaj gare”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së. “Nuk është ideja jonë të bëhemi një apo dy deputetë. Ideja e PSD-së është të krijojmë parti politike në kuptimin elektoral, ta përafrojmë votuesin”.
Sipas tij, PSD-ja do të preferonte të ishte pjesë e një liste të përbashkët opozitare duke e konsideruar të rëndësishme për qytetarët.
“Këta nuk duan me Kurtin, por duan bashkë. Pse mos të garojnë bashkë? Thonë se nëse bëhemi bashkë mund të humbim vota. Pse nuk deklarohen bashkë të gjitha dhe të thonë se pas zgjedhjeve ne qeverisim bashkë pasi ky është bllokuesi”, ka deklaruar ai. “PSD-ja do ta mbështeste dhe do të bëhej pjesë e një liste në një shpjegim të tillë politik që mendoj se është e rëndësishme për qytetarët, por edhe për partitë opozitare të Kosovës”.
Sipas Molliqajt, PDK-ja edhe në të kaluarën ka thënë se nuk ka vija të kuqe me askënd, por se me VV-në e ka të pamundur koalicionin për shkak të hendekut të madh mes tyre. Ai e ka cilësuar të gabuar strategjikisht deklaratën e Bedri Hamzës, kryetarit të PDK-së se nuk ka vija të kuqe ndaj askujt.
“Sipas meje, ata duan ta kenë një proces të ri zgjedhor që kur të ndodhë eventualisht ndonjë bashkëpunim, kur i pyet qytetari pse e bënë, të thonë se kanë thënë më parë që nuk kanë vija të kuqe. Për mua është metodë e gabuar strategjikisht”, ka thënë ai.
Molliqaj po ashtu ka thënë se zgjedhjet e fundit lokale kanë nxjerrë në pah “premisa të rreme”.
Sipas tij, premisa më e gabuar ka qenë supozimi që “sa më gjatë që rri Albin Kurti në pushtet, më i dobët do të bëhet”.
“Është vërtetuar se kjo nuk është e vërtetë. Me 50.2 për qind i ka marrë vetëm 4 komuna, me 42 për qind i mori 7 komuna. Premisa e dytë që Albin Kurti do të rrëzohet përmes aferave korruptive, doli e pavërtetë sepse tre kryetarët që u zgjodhën janë kryetarët më të korruptuar në radhët e Vetëvendosjes dhe fituan zgjedhjet. Nuk rrëzohen pushtetet e forta pa pasur opozita të forta. Nuk po them të forta me muskuj e as me protestë, por të forta me diskurs”, ka thënë ai.
Sipas tij, Kurti “po e mëson shoqërinë e Kosovës me sjellje jodemokratike”.
“Ai është duke i legjitimuar disa sjellje që kushdo tjetër që do t’i bënte, nuk do të ishin legjitimuar”, ka thënë Molliqaj.
Sipas tij, Kurtin e mban “ideja autoritare”.
“Mendoj se asgjë nuk kemi parë, çfarë kemi me pa. Kur e merr vesh se është autoritar... ti hyn e shikon të gjitha vendet që kanë ngjashmëri autoritare dhe e sheh se çfarë ka ndodhur me ato vende. E kupton se Kosova nuk mund të ikë shumë prej asaj. Netanyahu (kryeministri i Izraelit) para se të fillonte lufta ka mbajtur tre palë zgjedhje derisa iu ka përshtatur atij. Edhe Albin Kurti deri të vijë aty ku dëshiron, do t’i përsërisë”, ka thënë Molliqaj.
Deputetët një ditë më parë votuan kundër formimit të Qeverisë Konjufca, duke rrëzuar poshtë mandatarin e dytë. Si rrjedhojë, Kosova ka ngelur me qeveri në detyrë edhe pse zgjedhjet e shkuara u mbajtën më 9 shkurt.
Lëvizja Vetëvendosje pati dalë e para me 42.30 për qind të votave, e pasuar nga PDK-ja me 20.95, LDK-ja me 18.27 dhe AAK-Nisma me 7.8 për qind të votave.
Sot, 20 nëntor, presidentja Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin dhe caktoi 28 dhjetorin si datë të zgjedhjeve të reja.