Mollët kanë filluar të skuqen në këtë fundgusht në vendin e quajtur Peci (i-ja e zgjatur) në fshatin Dumnicë e Epërme, në verilindje të Podujevës. Por frutat e kësaj peme janë bërë të ndaluara për pronarin e saj, që prej përfundimit të luftës, në vitin 1999.
Ajo gjendet në vijën kufitare që ndan Kosovën me Serbinë, nga 94 kilometra sa thuhet se zgjat vija kufitare e kësaj komune me këtë shtet fqinj, shkruan sot “Koha Ditore”.
Pronari, Latif Mehmeti, ka ecur rreth një kilometër në këmbë për të mbërritur këtu, prej ku vetura nuk mund të kalonte në këtë rrugë me gropa e plot pluhur. Ai po shikonte nga afër pemën në “gardhin kufitar” dhe arat që i kanë mbetur matanë kufirit.
Dalja në “tokën e tij” nënkupton kalim ilegal i kufirit, që është vepër penale edhe me ligjet e Kosovës. Ky është kufiri i ndaluar për të! Atij i kishte mbetur dora zgjatur duke treguar pasurinë që nuk mund ta shfrytëzojë tash 19 vjet.
“Te molla janë ardhë (xhandarmëria serbe v.j.)”, thotë Latif Mehmeti, që po i referohej një banori të fshatit Dumnicë (Bislim Osmani) i cili thotë se i ka parë me sytë e tij policët kufitarë serbë që kishin dalë deri aty. “Më shkoi mendja me marrë (molla v.j.), po është pak rrezik”.
Pasuria e mbetur jashtë
Mollët janë sinonim i vitalitetit e shëndetit. Por jo të gjitha janë “të lejuara”. Historia e kësaj peme daton që prej “prindërve të njerëzimit” - Ademit e Havës. Mësimet fetare thonë se ata e kishin të ndaluar të hanin frutat e një peme. Flitet të ketë qenë mollë! Këto pemë, jo rrallë, kanë qenë të ndaluara edhe për shqiptarët.
Një e tillë thuhet të ketë mbetur në pjesën e Serbisë, rreth 140 vjet më parë, kur shqiptarët po dëboheshin nga rajoni i Toplicës... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)