Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mogherini s’përfshin Bashën në agjendën e takimeve në Shqipëri

Vizita e Federica Mogherinit në Tiranë të premten nuk do të ndjekë rutinën e një agjende normale politike. Përfaqësuesja e lartë e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë e Bashkimit Europian do të takojë presidentin Nishani, kryeministrin Rama, kryeparlamentarin Meta, por jo të parin e opozitës, Lulzim Basha.

Burime zyrtare thanë për Top Channel se kreu i opozitës, deri tani nuk është përfshirë në agjendën e zonjës Mogherini, e cila e viziton Tiranën në mes të një situate anormale politike, kur opozita ka bojkotuar Parlamentin dhe ka kushtëzuar qëndrimin e saj për zgjedhjet dhe për Reformën në Drejtësi me krijimin e një qeverie teknike.

Deri tani, askush nuk ka dhënë asnjë arsye, përse përfaqësuesja e lartë për Politikën e Jashtme në Bashkimin Europian e ka përjashtuar zotin Basha nga agjenda e saj politike në Tiranë. Ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare thanë për TCh se, një veprim i tillë nuk është i zakontë.

Gjatë 4 viteve të fundit, Tirana është vizituar dy herë nga një ministre e Jashtme e Bashkimit Europian dhe, si Catherine Ashton në vitin 2013, edhe Federica Mogherini në 2016-n janë takuar me kryetarin e opozitës, përkatësisht Edi Ramën dhe Lulzim Bashën.

Burime diplomatike e shpjeguan përjashtimin e Bashës nga takimi me Mogherinin duke iu referuar gjuhës së dhunshme verbale që kreu i opozitës përdori pak ditë më parë. Një problem që e preku në deklaratën e vet edhe zëdhënësi i Kancelares gjermane, Angela Merkel.

Edhe Mogherini sot në Tiranë Arbëri Mogherini sot në Tiranë

Megjithatë, për të dhënë mesazhin se nuk është përjashtuese ndaj opozitës, Federica Mogherini ka parashikuar në agjendën e vet një takim me drejtuesit e Parlamentit. Top Channel siguroi formatin e këtij takimi, ku opozita është e përfshirë në nivelin e nënkryetarit të Kuvendit, kryetarit të grupit parlamentar dhe kryetares së Komisionit të Integrimit.

Deri tani, nga Partia Demokratike nuk ka një përgjigje nëse do të pranojë të takohet me Përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Europian për Politikat e Jashtme dhe Sigurinë, në kushtet kur kryetari i opozitës është i përjashtuar.