263 raste me COVID-19 janë regjistruar në 24 orët e fundit në Kosovë nga testimi i 3008 mostrave, ndërkaq nuk është raportuar për të vdekur.
Sipas njoftimit nga Ministria e Shëndetësisë, 8 persona janë shëruar.
SSHKUK-ja njofton se në QKUK dhe në spitalet rajonale janë duke u trajtuar 137 pacientë, prej tyre 82 me oksigjenoterapi e tre në gjendje të rëndë. Rritja e numrit të rasteve ka bërë që të shtohet edhe numri i pacienteve në Klinikën e Infektives, kanë thënë drejtuesit e saj.
Sipas tyre, pacientët që po kërkojnë ndihmë mjekësore e që janë në forma më të rënda klinike janë ata ende të pavaksinuar.
Megjithëkëtë, interesimi i qytetarëve për t’u imunizuar mëngjesin e së hënës ka qenë i ulët.
“Herën e parë ka pasur më shumë, sot shumë qetë, shumë mirë, në rregull, edhe me mesazh kështu ma kanë konfirmuar që për sot kam me ardhë, kështu që mirë është, nuk ka pasur tollovi”, tha qytetari Nuhi Paçarizi, që po priste të vaksinohej te Qendra “1 Tetori” në Prishtinë.
“Mirë, ka pasur rende, por s’ka pasur parregullsi, atëherë ka qenë më tollovi por mirë ka shkuar”, tha qytetarja Shemsie Selova.
“Ka pasur, plot ka qenë këtu, veç e kom marrë qaty e sot këtu, veç kurrfarë problemi nuk kam pasur, si gjithnjë. As nuk e kam ndjerë hiç, as nuk më ka dhimt dora, as krahu, as hiç”, tha Hava Myftari, një qytetare tjetër që po priste të vaksinohej.
Por në panelin e publikuar nga MSH-ja, me të dhënat mbi vaksinimin kundër COVID-19, shihet se deri në orën e pasdites në nivel vendi janë imunizuar mbi 13 mijë qytetarë.
Kërkesë për qasshmëri më të madhe për t’u vaksinuar qytetarët kanë kërkuar disa mjekë, sipas të cilëve kjo do të mundësojë edhe kompletimin e synimit të Qeverisë për vaksinim të më shumë se 60% të qytetarëve deri në fund të vitit.
“Nëse autoritetet synojnë vaksinim masiv, atëherë duhet që ta lehtësojnë qasjen në vaksinat, që ta thjeshtojnë sa më shumë që është e mundur dhe kjo pikë të cilën e përmendet ju, që të jetë mundësia e marrjes së vaksinave në qendra të ndryshme aty ku janë qytetarët, aty ku janë njerëzit”, thotë infektologu Ilir Tolaj.
“Do të thotë, mos të jetë i lidhur procesi i vaksinimit me qendra statike, por të përdorim edhe ku e di unë autobusë të mëdhenj apo do të thotë mjete të tilla lëvizëse të cilat ua mundësojnë vaksinimin qytetarëve praktikisht aty edhe ku jetojnë apo në afërsi”, thotë internisti Driton Vela.
Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se ky sistem është mjaftueshëm i thjeshtë, mirëpo nuk përjashtohen mundësitë që në të ardhmen të lehtësohen procedurat.
“Procesi i vaksinimit është aq i liberalizuar dhe aq i thjesht sa është për keqardhje nëse një qytetar gjen një arsye për të mos u vaksinuar. Sot, nëse dikush nuk mund të kursej disa orë ose edhe më pak, minuta, për tu vaksinuar, me të vërtetë ky do të ishte një dëm i madh, dhe secili qytetar duhet të gjej arsye për tu vaksinuar, jo të gjej arsye për ta bojkotuar procesin”, deklaroi zëdhënësi i MSH-së, Faik Hoti.
Numri i rasteve aktive në vend është rritur në 2 mijë e 271 sosh.