Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mjekë nga Australia me ata nga QKUK-u operojnë 27 fëmijë

Nga data 30 qershor deri me 7 korrik në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK po qëndron një ekip i mjekëve nga Australia. Profesorët nga Australia me ekipin e mjekëve nga Kirurgjia e Fëmijëve, nën udhëheqjen e Prof. Dr Nexhmi Hyseni, kanë bërë 49 vizita të fëmijëve me anomali kongjenitale shumë të komplikuara.

Sipas njoftimit për media, ata pas vizitave mjekësore kanë përzgjedhur për intervenim kirurgjik 7 fëmijë, ndërsa deri tani kanë kryer 13 operacione komplekse, kurse deri të premten pritet të kryhen edhe 14 operacione.

Ekipi i mjekëve po punon gjatë gjithë ditës, deri në orët e vona të natës, në mënyrë që të gjithë fëmijët që kanë nevojë për operacion të kenë mundësi të marrin këtë shërbim.

Në saje të prof. Pady Dewanit dhe ekipit vendor, Organizatës Kind Cuts for Kids dhe Komunitetit Shqiptar në Melburn të Australisë, është shpëtuar buxheti i dedikuar për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore që kap 530 000 euro.

Bashkëpunimi i ngushtë i këtij lloji me profesorët nga Australia ka nisur nga viti 2010 dhe ka dhënë rezultate të shkëlqyeshme post- operative, me një rëndësi te madhe edhe në edukimin profesional të vazhdueshëm të mjekëve.