Përmes Fondacionit të Mileniumit të Kosovës kanë mundësi që të përfitojnë të gjitha komunat e Kosovës, dhe shuma e cila do të ndahet për përmirësimin e efiçencës së energjisë për shtëpi private dhe për banesa është afro 22 milionë dollarë.
Këto sqarime i dha sot drejtori ekzekutiv i Fondacionit të Mileniumit të Kosovës, z. Petrit Selimi, në takimin që zhvilloi me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, e mirëpriti këtë iniciativë, duke thënë se komuna e Mitrovicës duhet të ketë prioritet pasi që dihet edhe numri i familjeve të shumta të cilat jetojnë me asistencë sociale dhe investimet janë të nevojshme në përmirësimin e mirëqenies sociale të qytetarëve.
Po ashtu drejtori Selimi, njoftoi kryetarin Bahtiri edhe me projektin i cili do të iniciohet në fillim të vitit të ardhshëm, që synon përfshirjen e femrave në rrugëtimin e tyre që të bëhen lidere të energjisë.
Fondacioni i Mileniumit të Kosovës është entitet implementues i Programit Threshold në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Millennium Challenge Corporation, që është agjenci e pavarur e SHBA-ve për mbështetje në luftën kundër varfërisë globale.
Programi Threshold në Kosovë synon të trajtojë pengesat në zhvillimin ekonomik, ku furnizimi i sigurt me energji elektrike është identifikuar si një ndër pengesat kryesore.