Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën e 580 specializantëve me vetëfinancim prej datës 1 janar 2023 deri më 31 dhjetor. Në arsyetimin e tij, ministri Arben Vitia ka thënë se kjo pagesë është stimulim për të luftuar ikjen e kuadrove shëndetësore.
“Specializantët të cilët i nënshtrohen shkollimit profesional dallohen sipas kategorive të financimit me buxhet të ministrisë dhe të komunave e institucioneve private apo me vetëfinancim. Numri i kuadrove profesionale shëndetësore në vend është shumë i ulët në krahasim me disa vende të Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik dhe vendeve të rajonit. Sipas analizave që konstatojnë numrin e të vogël për kokë banori, ngrihen shqetësime për sa i përket qasjes në shërbime shëndetësore të popullatës. Përveç kësaj edhe vendet tjera ka një kohë që përballen me këtë problematikë ndaj së cilës kanë ndërmarrë hapa për të rritur numrin e mjekëve përmes stimulimit dhe krijimit të një ambienti tërheqës për ta. Nën ndikimin e këtyre masave, Kosova po ndikohet drejtpërdrejt me ikjen e kuadrove shëndetësore”, ka thënë ai duke shtuar se këtë pagesë e konsiderojnë prioritet.
Ai ka shtuar se me vendimin e marrë do të ndikohet pozitivisht në ofrimin e shërbimeve gjithëpërfshirëse shëndetësore e që qytetarët do të kenë qasje më të lehtë e më të shpejtë në shërbimet shëndetësore.
Kabineti ka miratuar edhe pagesën e 10 specializantëve me vetëfinancim nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Qeveria miraton tri marrëveshjet e Procesit të Berlinit
Qeveria e Kosovës ka miratuar tri marrëveshje që u nënshkruan në kuadër të Procesit të Berlinit në fillim të nëntorit të vitit 2022.
Ekzekutivi miratoi shqyrtimin e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.
Miratoi edhe shqyrtimin e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.
Qeveria miratoi edhe shqyrtimin e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor.
Më 3 nëntor, kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan tri marrëveshjet që ishin dakorduar më herët.