Me 7 mars të 2017-s, Hashim Thaçi, si presidenti i Kosovës, mori iniciativë që Kosovën ta bëjë me ushtri nëpërmjet ligjit e jo ndryshimeve kushtetuese.
Por, kjo kishte tensionuar marrëdhëniet e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raporton KTV.
Në ditën kur presidenti kishte dorëzuar në duart e kreut të Kuvendit, Kadri Veselit, ligjet për FSK-në, atasheu ushtarak i SHBA-së në Kosovë, ia kishte prezantuar ministrit të atëhershëm të FSK-së shqetësimet e institucioneve kryesore të SHBA-së e NATO-s, për procedimin e bërjes së ushtrisë në këtë formë.
Burime të KTV-së, të afërta atëkohë me zhvillimet, kanë rrëfyer se si kundër kësaj iniciative kanë qenë zyrtarët e Pentagonit, ambasada e SHBA-së në Kosovë dhe Komanda e NALT-it, zyrë kjo e NATO-s që mbikëqyr Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“I pari që është njoftuar për shqetësimin ka qenë kryeministri Isa Mustafa, e më vonë, një letër e tillë, nga ministri Demolli, i ishte dërguar dhe presidentit Hashim Thaçi dhe Kuvendit të Kosovës”, kanë treguar këto burime për televizionin.
Pas kësaj, në Ministrinë e FSK-së, kishte ardhur një letër tjetër, ku tregohej se do të anulohej vizita e komandantit të FSK-së në SHBA dhe disa aktivitete të tjera që ishin të planifikuara mes FSK-së dhe shtetit të Iowa-s.
Javë më vonë, presidenti i Kosovës u tërhoq nga iniciativa e tij dhe ligji u kthye prapa.
Por, një gjë të tillë është mohuar të mërkurën nga Zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Në pyetjet e KTV-së rreth kësaj çështjeje, zyrtarët e Presidencës janë përgjigjur shkurt, duke thënë se “pretendimet nuk qëndrojnë.”
Atëkohë, ShBA-ja kishe kërkuar që brenda 6 muajve të debatohet me komunitetet në Kosovë për ushtrinë, e në të cilën planifikonte të përfshihej edhe vetë.
Ideja ishte të bindeshin serbët lokalë se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk ishte kundër tyre.
Por, rrëzimi i Qeverisë ktheu në pikën zero iniciativën për ndryshimin e mandatit të FSK-së, çka pastaj rregulloi marrëdhëniet mes vendeve, e sidomos gjatë 2018-s.
Zyrtarë të FSK-së, pastaj, vizituan 8 shtete të BE-së, takuan 16 shtete anëtare të NATO-s dhe kryesisht qëndruan në Amerikë, nga ku në heshtje ishte miratuar krijimi i ushtrisë, i cili u finalizua më 14 dhjetor të 2018-s.