Në orën e fundit të 20 janarit 2009, Trupat Mbrojtëse të Kosovës e shuan misionin nëntëvjeçar. Ato ia pasuan rrugën e tyre një Force të re, me mision përafërsisht të ngjashëm, por me strukturë të avancuar, Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Nga 3 mijë anëtarë aktivë aq sa kishte trupa, që ishin formuar pas çmilitarizimit të UÇK-së, vetëm 1400 arritën të inkuadroheshin brenda Forcës së re të Kosovës.
Menjëherë pas kësaj, filluan protestat nga ish-pjesëtarët e TMK-së, të cilët njëkohësisht ishin edhe veteranë të UÇK-së. Në këtë pikë, pati momente përleshjesh ndërmjet tyre...
FSK-ja vazhdoi rritjen e saj dhe kapacitetet e para operacionale i arriti sipas planifikimeve në fund të vitit 2011, derisa të plota i arriti sipas parashikimeve në 5 -vjetorin e themelimit.
Që të përmbushet ky proces i ndërtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndihmuan dhe u angazhuan me trajnime ushtarakët e KFOR-it në Kosovë.
Më 21 janar të 2014, Forca e Sigurisë së Kosovës kishte mbushur 5 vjet dhe respektivisht atë ditë përfunduan kufizimet e Pakos së Ahtisarit, i cili kishte ngrirë statusin e saj në atë civil, duke thënë se vetëm pas ditëlindjes së saj të pestë, ajo mund të evoluonte në ushtri. Por, disa herë Kosova dështoi t’i japë FSK-së, mandat ushtarak”.
Më 17 shkurt 2014, atëkohë kryeministër, Hashim Thaçi do të bënte zotimin e parë për ndryshimin e mandatit të Forcës.
Më 31 mars 2015, në agjendën legjislative të Kuvendit, ishte paraparë që të hynte në rendin e ditës projektligji për shndërrimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës.
39 ligje do të ndryshoheshin që forcës t’i jepej mandati që të ruajë integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit dhe numri i pjesëtarëve të saj të rritej në 5 mijë.
Por, koalicioni LDK-PDK, pavarësisht përkrahjes së rrallë nga opozita, nuk e hodhi në votim, sepse i mungonin 4 votat nga Lista Serbe. Përpjekja e parë e këtij koalicioni dështoi.
Në gushtin e 2015-s, atëkohë kryeministër Isa Mustafa thuajse u dorëzua para idesë për ta bërë FSK-në me ndryshime kushtetuese. Ai hodhi idenë që ajo të bëhej me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për FSK-në, me të cilin FSK-ja do t’i merrte të gjitha përgjegjësitë që ishin të parapara për FAK-un.
Por, pak ditë më vonë, ai do të udhëtonte për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku më pas do të ndryshonte edhe qëndrimin për këtë proces.
Përpjekje të tilla u panë edhe në vitin 2016, por me intensitet më të dobët.
U tentua edhe më 2017, në një seancë të thirrur nga opozita, nëpërmjet një rezolute të hartuar nga AAK-ja, ku deputetët u munduan që Kosovën ta bënin me ushtri nëpërmjet ligjit, porse vetë kryeministri Mustafa tha se një ide e tillë nuk mund të jetësohet, pasi nuk e kanë përkrahjen e ndërkombëtarëve.
Tentimi i fundit ishte më 7 mars të 2017-s, kur presidenti Hashim Thaçi thotë se, si komandant suprem, ka vendosur ta bëjë FSK-në Ushtri.
Por, pavarësisht këtij propozimi, që misioni i forcës të ndryshohej nëpërmjet ligjit, kjo iniciativë dështoi, pasi vetë presidenti u tërhoq pas presioneve të ndërkombëtarëve, të cilët kërkonin mbështetjen e minoritetit serb.
Ndërrimi i pushtetit në fund të vitit 2017 nuk e ndryshoi klimën politike, sa i përket të ardhmes së Forcës.
Kjo pasi në legjislaturën e re Lista Serbe një kundërshtare e madhe e FSK-së, kishte 10 deputetë, gjë që e bënte të pamundur transformimin e Forcës përmes ndryshimeve Kushtetuese.
Të ndodhur përballë këtij fakti, Ministria e FSK-së dhe komanda ushtarake e saj gjatë 2017-s realizuan dhjetëra vizita e takime në shtetet përkrahëse të Forcës, kryesisht në Amerikë.
ShBA-ja, më 2017 kishin kërkuar një periudhë 6 mujore për t’i bindur serbët dhe më pas Kosova të vazhdonte tutje për krijimin e ushtrisë së saj.
Më 13 shtator Qeveria i dha dritën jeshile transformimit të FSK-së, duke proceduar për në Kuvend tri projektligjet që i jepnin mandat ushtarak Forcës, por pa e ndryshuar emrin e saj dhe pa e prekur Kushtetutën e Kosovës, pasi për ta bërë një gjë të tillë nevojiteshin 2/3 e votave të minoriteteve.
Disa herë në Amerikë shkoi edhe vetë kryeministri Haradinaj, i cili madje takoi edhe sekretarin e Mbrojtjes, James Mattis, nga ku në heshtje mori bekimin e tij.
Më 18 tetor me shumicë dërmuese të votave, Kuvendi miratoi në parim projektligjet dhe u debatua për çështjen e buxhetit, pasi Kosova nuk ka buxhet të mjaftueshëm për armatimin e saj.
Pas kësaj, të rezervuar u shfaqën edhe krerët e NATO-s, porse ky rezervim i tyre ka qenë që nga fillimi i historisë së transformimit të FSK-së në Ushtri.
Sidoqoftë, më 14 dhjetor, përfundimisht Kosova po bëhet me Ministri të Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës po avancon misionin e saj nga ai civil në ushtarak.
FSK-ja do të rrisë numrin e pjesëtarëve të saj nga 2500 sa ka aktualisht, në 5 mijë dhe ajo do të jetë përgjegjëse për ruajtjen e territorit, integritetit dhe sovranitetit të saj.
Procesi i transformimit të FSK-së në Ushtri do të zgjasë deri në 10 vjet.