Në episodin e 52-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është ish-ministri i Malit të Zi, Miodrag Vlahoviq. (Pjesa e dytë)
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoVlahoviq: Ekziston një problem në Ballkan që quhet Serbi
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, ish-ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Miodrag Vlahoviq, ka deklaruar se Serbia mbetet një faktor destabilizues në rajon, duke theksuar se ndikimi i saj shtrihet në disa shtete të Ballkanit.
“Ekziston një problem në Ballkan që quhet Serbi. Ai është gjeneratori i shumë problemeve në mjedisin e Serbisë, dhe në të gjitha vendet tona”, u shpreh Vlahoviq.
Ai theksoi se Mali i Zi duhet të synojë anëtarësimin në Bashkimin Evropian para së gjithash për interesin e vet, e jo si një mjet për të ndikuar në zhvillimet në Serbi apo në rajon. Sipas tij, pritjet që integrimi i Malit të Zi në BE do të transformojë automatikisht Serbinë janë të ekzagjeruara.
“Kam zakon të them, në mënyrë eufemiste, se është e qartë se të gjithë kemi një ‘mik të përbashkët’, ne, boshnjakët dhe kosovarët, por më duket se ka kohë që është bërë e papërshtatshme ta përdorim si argument pro ose kundër se është mirë që Mali i Zi të hyjë sepse do të ketë ndikim... është e mundur, ndoshta, do të ishte mirë, por kjo nuk është çështja”, shtoi ai.
Sipas tij, ekziston një përpjekje për të ndikuar në zhvillimet e brendshme të Malit të Zi, përfshirë edhe ndryshimin e identitetit shtetëror dhe politik të vendit. Ai paralajmëroi se këto ndikime mund të synojnë transformimin e Malit të Zi në një shtet me karakteristika të theksuara etnike, të ngjashme me strukturën e Bosnjë dhe Hercegovinës.
Megjithatë, Vlahoviq theksoi rëndësinë e ruajtjes së konceptit qytetar të shtetit malazez dhe shmangien e ndarjeve etnike si përgjigje ndaj presioneve të jashtme.
“Mali i Zi duhet të zhvillojë një koncept qytetar autentik gjithëmalazez, natyrisht, duke e ditur që në fillim, në mes, në fund se pa malazezët nuk ka Mal të Zi, pra eliminimin e identitetit malazez dhe në fakt eliminimin e shtetësisë malazeze dhe anasjelltas”, përfundoi ish-ministri.
Vlahoviq: Sot Mali i Zi është nën ndikim të Serbisë
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, ish-ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Miodrag Vlahoviq, ka deklaruar se sot Mali i Zi nuk është realisht i pavarur nga ndikimi i Serbisë, duke e përshkruar këtë ndikim si të thellë dhe shumëdimensional.
“Ne nuk jemi të pavarur, jemi nën ndikim të fortë, i cili është shumështresor, shumëdimensional”, u shpreh Vlahoviq gjatë bisedës.
Sipas Vlahoviqit, ndikimi serb në Mal të Zi shtrihet në disa nivele, përfshirë politikën, mediat, ekonominë dhe jetën kulturore. Ai theksoi se ky ndikim lidhet ngushtë me strukturat shtetërore serbe dhe Kishën Ortodokse Serbe, të cilat, sipas tij, shpesh veprojnë në mënyrë të koordinuar.
Ai përmendi gjithashtu çështjen e pronësisë së mediave, duke theksuar se disa prej tyre janë në duar të pronarëve serbë dhe, sipas tij, reflektojnë politika që burojnë nga Beogradi. Vlahoviq shtoi se, ndryshe nga periudha e referendumit për pavarësi kur ndikimi ishte më i drejtpërdrejtë, sot ai është më i sofistikuar dhe i përhapur në të gjitha sferat e shoqërisë.
Duke folur për rrugën evropiane të Malit të Zi, ai vlerësoi se qëllimet e Beogradit mund të jenë të dyfishta: ose të pengojë integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, ose të ndikojë në transformimin e brendshëm të Malit të Zi në një shtet me identitet të afërt me Serbinë.
“Është e mundur, por shumë e vështirë. Më duket se mund të ketë ende një rrugë... Tani, varet, pas rënies së Orbanit, varet se si do të bjerë, sa do të zgjasë, në çfarë mënyre ta them kështu, dhe mendoj se kjo është përgjigjja e duhur, Aleksandar Vuçiq, në çfarë mënyre do të bjerë ose po bie, si folje e papërfunduar, dhe ky mund të jetë një proces që do të shkaktojë gjëra negative si brenda Serbisë ashtu edhe në mjedisin serb”, deklaroi Vlahoviq kur u pyet nëse integrimi evropian i Malit të Zi mund të pengohet.
Ish-ministri malazias: Me njohjen e Kosovës e dëshmuam se ishim të pavarur nga Serbia
Ish-ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Miodrag Vlahoviq, ka thënë se vendimi për njohjen e Kosovës në vitin 2008 nuk ishte i lehtë dhe as domosdoshmërisht i mbështetur gjerësisht në opinionin publik në atë kohë. Sipas tij, bëhej fjalë për një qëndrim që në fillim ishte minoritar, por që u pranua nga pushteti si një hap strategjik dhe i domosdoshëm.
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, ai zbuloi se kishte propozuar që Mali i Zi ta njihte Kosovën në koordinim me Maqedoninë e Veriut, me qëllim që reagimi i pritshëm negativ nga Beogradi të shpërndahej në më shumë se një adresë.
“Ne e bëmë këtë dhe është një nga sukseset e asaj qeverie”, u shpreh ai, që në atë mbante pozitën e ministrit.
Sipas Vlahoviqit, njohja e Kosovës përbënte një akt emancipues për Malin e Zi, duke e ndihmuar vendin të shkëputej nga ndikimet historike, ideologjike dhe nacionaliste që lidhen me Serbinë. Ai shtoi se ky vendim i dërgoi një mesazh të qartë Beogradit se Mali i Zi ishte realisht i pavarur, jo vetëm formalisht, por edhe në vendimmarrje.
“Serbia e kuptoi vetëm me njohjen e Kosovës nga Mali i Zi se ne nuk jemi thjesht një vend i pavarur ndaj të gjithëve, por edhe ndaj saj”, deklaroi ai.