Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ministrja e Arsimit: Ligji i ri për rregullat në trafik do të ketë dënime më të ashpra

Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se mosrespektimi i rregullave dhe “sjellja e papërgjegjshme” e disa të rinjve bëri që të humbnin jetën tre persona të shtunën mbrëma në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Ministrja Nagavci ka shkruar në Facebook të dielën se respektimi i rregullave në trafik parandalon rrezikun për aksidente, duke shtuar se ligji i ri për rregullat në trafik do të ketë më tepër dënime të ashpra.

“Respektimi me përpikëri i rregullave në trafik, parandalon rrezikun për aksidente në komunikacion, ndërkaq Ligji i ri për Rregullat në Trafik do të ketë dënime shumë më të ashpra sesa Ligji aktual në fuqi”, ka shkruar Nagavci.

“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për vdekjen e tre të rinjve si pasojë e aksidentit tragjik në autostradën ‘Ibrahim Rugova’, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Një veprim i jashtëligjshëm, mosrespektimi i rregullave dhe sjellja e papërgjegjshme e disa të rinjve mbrëmë, la pasoja tragjike për viktimat Lordi Syla, Molos Delija dhe Nue Bibaj”.

Ajo ju ka shprehur shërim të shpejtë të lënduarve.