Ministria e Zhvillimit Ekonomik e ka vlerësuar të paligjshme Rregulloren për subvencionimin e energjisë elektrike dhe caktimin e kuotës së çmimit më të ulët të energjisë për qytetarët e Obiliqit, kanë konfirmuar zyrtarët e kwsaj komune tw hwnwn.
Zyra për informim ka njoftuar se do t’i rinisin prapë procedurat për miratimin e këtij dokumenti.
“Ju njoftoj se niveli qendror ka kthyer mbrapa Rregulloren për subvencionim. Si institucion komunal në vazhdimësi kemi bërë përpjekje për realizimin e kësaj të drejte tërësisht legjitime për qytetarët e Obiliqit, ashtu siç rregullohet edhe me Ligjin Nr.05/L-044 për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij. Prandaj, ne do të riinicojmë procedurat e tërësishme në bazë të ligjeve në fuqi deri në përmbushjen e plotë të kësaj rregulloreje”, thuhet në përgjigjen e kësaj zyreje për KOHËN.
KOHA ka raportuar edhe në muajin maj të këtij viti, pas miratimit të kësaj Rregulloreje, dhe atëkohë opozita e konsideronte të paligjshme.
Një dokument i ngjashëm ishte rrëzuar edhe më parë nga niveli qendror dhe se opozitarët nuk kishin parë ndonjë dallim as në dokumentin e dytë.
“Rregullorja fillestare thoshte që Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Komunën dhe ZRRE-në e siguron një kuotë më të lirë të rrymës elektrike ashtu siç është e paraparë me Ligjin për Obiliqin. Ndërsa në rregulloren aktuale thuhet se Komuna nga mjetet e tantiemës që i takojnë me Ligjin për Obiliqin do të ndajë një pjesë që të subvencionojë rrymën elektrike për amvisëritë e qytetit të Obiliqit”, kishte theksuar Sami Ahmeti, shef i Grupit të këshilltarëve të LVV-së në Obiliq.
Kjo, sipas Ahmetit, bie ndesh me Ligjin për Obiliqin mbi të cilin edhe bazohej ky dokument.
“Neni 9 i këtij Ligji thotë që paratë e tantiemës shpenzohen kryesisht në mbrojtje të ambientit, në shëndetësi dhe në arsim. Ne mendojmë që kjo tendencë e Komunës është për shkak të paaftësisë së tyre për të harxhua buxhetin, kur dihet që në tre vitet e fundit kanë pas suficit rreth 2 milionë euro”, ishte shprehur këshilltari Ahmeti. “Ligji për Obiliqin e specifikon shumë qartë se kush është subjekti i cili e siguron këtë kuotë më të lirë të rrymës elektrike për qytetarët e Komunës së Obiliqit. Neni 8 i Ligjit për Obiliqin thekson se Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me ZRRE-në, jo Komuna, siguron një kuotë më të lirë për banorët e Komunës së Obiliqit ose për banorët e zonës së rrezikuar”.
Se ka përzierje të kompetencave kishte thënë edhe këshilltari i AAK-së, Xhelal Krasniqi, atëkohë opozitë.
“Ne së pari si AAK jemi pro respektimit të Ligjit për Obiliqin dhe të gjitha të mirave që dalin nga ai Ligj për qytetarë e Komunës tonë. Sa i përket Rregullores, në 2019 MAPL-ja e ka kthyer mbrapsht, sepse ka konstatuar që është bërë shkelje e nenit 8 dhe 9 të Ligjit për Obiliqin. Sepse në nenin 8 thotë decidivisht se Qeveria së bashku me ZRRE-në sigurojnë një kuotë më të ulët për qytetarët e Obiliqit, ose zonën e rrezikuar të Obiliqit”, kishte thënë Xhelal Krasniqi.
Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë për këtë çështje përgjegjësinë e kishte bartur te Zyra e Regullatorit të Energjisë (ZRRE).
“Pyetjet tuaja duhet t’i drejtoni në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, pasi kërkesat janë nën kompetencat e ZRRE-së, si organ i pavarur, i cili ka për detyrë të rregullojë aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë, përfshirë energjinë elektrike, ngrohjen qendrore dhe gazin, në pajtim me detyrimet që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë”, thuhej në një përgjigje me shkrim të Divizionit për Komunikim me Publikun të Ministrisë së Ekonomisë.
Në Rregulloren, tashmë të rrëzuar nga MZHE-ja, përcaktoheshin kushtet, kriteret dhe procedurat të cilat do t’i mundësonin Komunës së Obiliqit subvencionimin e energjisë elektrike dhe caktimin e një kuote më të ulët të çmimit të energjisë elektrike.
Në nenin 3 përcaktohej ndarja buxhetore ku thuhej se Qeveria e ndan një shumë të caktuar të mjeteve buxhetore duke u bazuar në Ligjin për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe një pjesë e kësaj shume destinohet për subvencionimin e energjisë elektrike.
“Komuna e Obiliqit për realizimin e subvecnionimit të energjisë elektrike për banorët e Komunës së Obiliqit bashkëpunon me ZRRE-Zyra e Rregullatorit të Energjisë, KEDS sh.a.-Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike dhe KESCO sh.a.-Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike”, thuhej në nenin 4 të kësaj Regulloreje.
Atëkohë opozita ishte e sigurt që kjo Rregullore nuk do të jetësohej as tash, për shkak të shekeljeve që ata pretendonin.