Blerim Shabani, drejtor i departamentit për politika të shërbimeve sociale dhe familjare në kuadër të Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, ka deklaruar se përgjegjësia për ofrimin e shërbimeve direkte për fëmijët dhe të rriturit që kanë nevojë për shërbime sociale dhe familjare, është e komunave dhe jo e ministrisë.
Të mërkurën në një konferencë për media ku është deklaruar rreth rastit të 5-vjeçarit, i cili dyshohet se u keqtrajtua nga prindërit për çka po merr trajtim mjekësor në QKUK, Shabani ka thënë se çështja e trajtimit dhe menaxhimit të rastit është kompetencë ekskluzive e komunës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Çështja e trajtimit dhe menaxhimit të rastit është kompetencë ekskluzive e komunave, më saktë e Qendrës për Punë Sociale që është në kuadër të komunës... Ministria ka përgjegjësi në bazë të mandatit të hartojë legjislacion primar sekondar, programe, standarde, politika për mbikëqyrjen, por nuk është përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve direkte për fëmijët dhe të rriturit që kanë nevojë për shërbime sociale dhe familjare, kjo është përgjegjësi direkte e qendrave për punë sociale, gjegjësisht e komunave”, ka thënë ai.
Shabani ka shtuar se ministria ka kërkuar raport të hollësishëm për trajtimin e rastit, si dhe është autorizuar njësia inspektuese.
“Kemi marrë disa hapa siç është mbikëqyrja profesionale, kemi kërkuar një raport të hollësishëm për trajtimin e rastit të fëmijëve nga Qendra për Punë Sociale, kemi autorizuar edhe njësinë inspektuese. Kemi ofruar pëlqimin për vendosjen e fëmijëve në strehim familjar dhe normalisht autorizimin për njësinë inspektuese. Nuk mund të japë informacione të tjera pa e pasur raportin kronologjik të mbikëqyrjes profesionale dhe atë preliminar të inspektimit për të identifikuar se cilat veprime janë ndërmarrë”, ka thënë ai.
Ndërsa për fëmijët e tjerë të kësaj familjeje, të cilat janë marrë nën përkujdesje nga qendra për Punë Sociale, ai ka thënë se gjenden “në një vend të sigurt dhe po marrin kujdesin institucional në përputhje me përgjegjësitë të gjitha mekanizmave që kanë përgjegjësi në kryerjen e detyrave zyrtare”.