Ministria e Tregtisë i është vënë në mbrojtje biznesmenit Sylejman Neziri, të cilit, pas një vendimi të Gjykatës së Apelit, prej një jave i është ndalur në doganë një maune me produkte të “Coca Cola Company”, të importuara nga Shqipëria.
Vendimi i gjykatës pezullon importin paralel të këtyre produkteve. Kjo, meqë një biznes tjetër ka autorizim për të tilla importe nga Serbia.
Por zëvendësministri i Tregtisë, Getoar Mjeku, i tha KOHËS se në Kosovë nuk ka ligj që ndalon importin paralel.
“Tregu i lirë mbrohet me kushtetutë dhe ligj. Ligji nr. 06/L-015 për masat doganore për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale liron Doganën nga detyrimi për të ndaluar mallin e prodhuar me autorizimin e mbajtësit të markës tregtare. Kurse Ligji nr. 04/L-026 për markat tregtare parasheh se mbajtësi i markës nuk mund ta ndalojë shitjen e mallit pasi ta ketë nxjerrë mallin në treg”, tha Mjeku.
Biznesmeni Neziri ka protestuar para terminalit doganor në Prizren, ku prej 10 ditësh i është ndaluar mauna me pijet “Coca Cola”, “Fanta” dhe “Sprite”. Ai thotë se me këtë masë ndalimi po imponohet që këto pije të importohen nga Serbia.
Edhe
Ministria e Tregtisë mbështet biznesin që iu ndalua importi nga Shqipëria
“Nuk di ata shqiptarë që janë pse e përkrahin aq shumë produktin serb. Nëse nuk e përkrahim prodhimin vendor edhe vetveten duhet kjo rini ta lëshojë krejt Kosovën”, tha Neziri nga “Plus Center”.
Në Doganë nuk folën për këtë rast. Ndërkaq zyrtarët e Gjykatës së Apelit vetëm pohuan se për këtë çështje juridike është vendosur në janar të këtij viti dhe nuk dhanë më shumë informacione.
“Lidhur me pyetjen e juaj ju njoftoj se lënda e kërkuar është kryer nga Gjykata e Apelit më 24.1.2002, është e ekspeduar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Ekonomike, më datën 27.1.2022, me numrin AE.nr.297/2021. Aktvendimin ta kërkoni nga ajo gjykatë”, thuhet nga administratori i Gjykatës së Apelit të Kosovës, Nysret Arifi.
E, biznesmeni Neziri kërkon që t’i lihen duart e lira të veprimit, meqë konsideron se ligji është në anën e tij.
“Unë nuk kam ardhur këtu për me i nxjerrë pare Qeverisë apo dikujt tjetër, nuk e dua asnjë cent. Unë e lus Qeverinë e Republikës së Kosovës që unë të jem i lirë dhe të punoj i lirë në këtë vend”, tha Neziri.
E, zëvendësministri Mjeku alarmoi se vendimet e këtilla të gjykatës kanë ndikim negativ në xhepin e qytetarëve.
Edhe
Oda Amerikane kërkon të shfuqizohet vendimi për kontrollin e çmimeve në tregun e karburanteve
“Ndalimi i importit paralel në çfarëdo forme mund të përqendrojë tregun në duart e një ndërmarrjeje dhe të shkaktojë ngritjen e çmimeve”, tha Mjeku.
Ministria e Tregtisë, si hartuese e legjislacionit për markat tregtare, ka dhënë edhe një opinion të shkruar për këtë çështje dhe, sipas Mjekut, po i shqyrton mundësitë ligjore për të mbrojtur tregun e lirë dhe konsumatorin.