Biznesmeni Sylejman Neziri, në qendrën e tij tregtare në Ferizaj, nuk ka asnjë produkt të importuar nga Serbia. Por, me vendim gjykate atij i është pezulluar mundësia e importimit të pijeve të “Coca Cola Company”, të kontraktuara në Shqipëri. Vendimi i gjykatës pezullon importin paralel të këtyre produkteve, meqë një biznes tjetër ka autorizim për të tilla importe nga Serbia. E në Ministrinë e Tregtisë thonë se ndalimi i importit paralel nuk ka mbështetje në ligj dhe mund të shkaktojë ngritjen e çmimeve
Ministria e Tregtisë i është vënë në mbrojtje biznesmenit Sylejman Neziri, të cilit, pas një vendimi të Gjykatës së Apelit, prej një jave i është ndalur në doganë një maune me produkte të “Coca Cola Company”, të importuara nga Shqipëria.
Vendimi i gjykatës pezullon importin paralel të këtyre produkteve. Kjo, meqë një biznes tjetër ka autorizim për të tilla importe nga Serbia.
Por zëvendësministri i Tregtisë, Getoar Mjeku, i ka thënë KOHËS se në Kosovë nuk ka ligj që ndalon importin paralel.
“Tregu i lirë mbrohet me kushtetutë dhe ligj. Ligji nr. 06/L-015 për masat doganore për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale liron Doganën nga detyrimi për të ndaluar mallin e prodhuar me autorizimin e mbajtësit të markës tregtare. Kurse Ligji nr. 04/L-026 për markat tregtare parasheh se mbajtësi i markës nuk mund ta ndalojë shitjen e mallit pasi ta ketë nxjerrë mallin në treg”, ka deklaruar Mjeku.
Biznesmeni Neziri ka protestuar para terminalit doganor në Prizren, ku prej 10 ditësh i është ndaluar mauna me pijet “Coca Cola”, “Fanta” dhe “Sprite”. Ai thotë se me këtë masë ndalimi po imponohet që këto pije të importohen nga Serbia.
Edhe
Ministria e Tregtisë mbështet biznesin që iu ndalua importi nga Shqipëria
“Nuk di ata shqiptarë që janë pse e përkrahin aq shumë produktin serb. Nëse nuk e përkrahim prodhimin vendor edhe vetveten duhet kjo rini ta lëshojë krejt Kosovën. Ju lutem, ndoshta unë e kam pak gabim e po flas pak edhe me emocione. Se nuk e kam atë problem nëse ‘Coca Cola’ ime rri qe 10 ditë këtu. Edhe dy muaj le të rrijë, por nuk është e drejtë kjo”, ka thënë Sylejman Neziri, pronar i “Plus Center”.
Njëherësh ka kërkuar që të veprojë në mënyrë të lirë dhe në këtë drejtim ka kërkuar ndihmën e Ekzekutivit të vendit.
“Unë nuk kam ardhur këtu për me i nxjerrë pare Qeverisë apo dikujt tjetër, nuk e dua asnjë cent. Unë e lus Qeverinë e Republikës së Kosovës që unë të jem i lirë dhe të punoj i lirë në këtë vend. Mua s'jeni duke më lënë të lirë të punoj, o media, as kërkush nuk po më lë të lirë në lokalin tim”, ka deklaruar Neziri.
Në Doganë nuk folën për këtë rast. Ndërkaq zyrtarët e Gjykatës së Apelit vetëm pohuan se për këtë çështje juridike është vendosur në janar të këtij viti dhe nuk dhanë më shumë informacione.
“Lidhur me pyetjen e juaj ju njoftoj se lënda e kërkuar është kryer nga Gjykata e Apelit më 24.1.2002, është e ekspeduar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Ekonomike, më datën 27.1.2022, me numrin AE.nr.297/2021. Aktvendimin ta kërkoni nga ajo gjykatë”, bëri të ditur Nysret Arifi, administrator i Gjykatës së Apelit të Kosovës.
E zëvendësministri Mjeku alarmoi se vendimet e këtilla të gjykatës kanë ndikim negativ në xhepin e qytetarëve.
Edhe
Përfaqësues të bizneseve thonë se ulja e çmimeve diktohet nga importi
“Ndalimi i importit paralel në çfarëdo forme mund të përqendrojë tregun në duart e një ndërmarrjeje dhe të shkaktojë ngritjen e çmimeve”, ka thënë ai.
Ministria e Tregtisë, si hartuese e legjislacionit për markat tregtare, ka dhënë edhe një opinion të shkruar për këtë çështje dhe, sipas Mjekut, po i shqyrton mundësitë ligjore për të mbrojtur tregun e lirë dhe konsumatorin.