Nga e premtja prindërit mund të aplikojnë për subvencionimin e teksteve shkollore të fëmijëve të tyre, bëri të ditur ministrja e Arsimit të enjten mrëma. Do të ndahen 80 euro për nxënësit nga klasa 1 deri në klasën e 5 për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore, e po ashtu për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9 nga 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore. E, kur ka mbetur edhe një javë nga fillimi i vitit të ri shkollor, libraritë ende nuk janë furnizuar me tekste shkollore
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se nga e premtja prindërit mund të aplikojnë për subvencionimin e teksteve shkollore. Ajo ka njoftuar të enjten mbrëma se do të ndahen nga 80 euro për blerjen e librave për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën, si dhe nga 30 euro shtesë si mbështetje për materiale të tjera shkollore për nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën.
“Nga nesër mund të aplikoni për subvencionimin e teksteve shkollore. Mjetet do të dalin në xhirollogaritë tuaja që nga fillimi i javës së ardhshme”, ka shkruar Nagavci. “Do të ndahen 80 euro për nxënësit nga klasa 1 deri në klasën e 5 për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore. Po ashtu, për herë të parë për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9 të cilët tashmë i kanë të siguruara tekstet mësimore, do të ndahen 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore”.
Ajo ka bërë të ditur se edhe çmimet e teksteve do të publikohen nga shtëpitë botuese, dhe ka thënë se lista e teksteve të përzgjedhura nga aktivet profesionale tashmë është e gatshme.
Nagavci ka ftuar të gjithë prindërit që të konsultohen me mësimdhënësit se cilat tekste duhet t’i blejnë.
Ndërkaq, libraritë në Kosovë ende nuk janë furnizuar me tekste shkollore, kur ka mbetur vetëm edhe një javë nga fillimi i vitit të ri shkollor.
Pronarë të shtëpive botuese, të cilët folën para njoftimit të ministres, kanë treguar se janë ende në pritje të vendimit të MASHTI-t.
Sivjet, pas 15 vjetësh, obligimi për t’i blerë tekstet shkollore do t’iu bartet prindërve, pasi Ministria 10 ditë para nisjes së procesit mësimor njoftoi se ka dështuar të arrijë marrëveshje me shtëpitë botuese, duke i akuzuar ato për ofertim me çmime shumë më të larta se ato që i vendosin në libraritë e tyre.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të martën premtoi se më së largu të enjten në mëngjes do të bëhet i ditur vendimi për mënyrën e pajisjes së nxënësve me libra.
“Ne jemi gati dhe gjithçka është gati. Vendimin përfundimtar do ta bëjmë publik nesër pasdite ose më së largu të enjten në mëngjes”, ka thënë ajo në një intervistë për televizionin publik.
Por, zotimi nuk është mbajtur. Tek në mbrëmje ajo njoftoi për mënyrën e pajisjes së fëmijëve me tekste mësimore.
E në Këshillin e Prindërve të Kosovës, që të mërkurën patën takim me ministren Nagavci, vlerësuan se koha e shkurtër për gjetjen e një zgjidhjeje mund ta gjejë 1 shtatorin pa libra.
Besnik Dragusha, kryetar i Këshillit, është shprehur skeptik se procesi mësimor do të fillojë në rregull.
“Ne jemi shumë skeptikë në këtë çështje. Ne, sa jemi të informuar nga Ministria, të gjithë janë të angazhuar. Por, po shihet që koha është shumë e shkurtër për të bërë një zgjidhje që është e kënaqshme për prindërit. Unë do të isha shumë i kënaqur në qoftë se do të mundem t’i çoja fëmijët në shkollë me libra”, ka thënë ai.
Gjatë së enjtes u mbajt një takim edhe mes përfaqësuesve të shtëpive botuese dhe atyre të Ministrisë, porse për përmbajtjen e tij dhe për vonesat në hapjen e aplikimit për rimbursim nuk janë dhënë sqarime nga MASHTI.
Në Ministri nuk treguan as se sa është shuma që është planifikuar të ndahet si subvencion për një nxënës.
E KOHA raportoi më herët se kostoja e teksteve shkollore për një nxënës të klasës së parë, sipas çmimeve nëpër librari, është rreth 75 euro.
Çmimet në librari për librin bazë variojnë nga 5-6 euro, ndërsa për fletore pune dhe tekstet e lëndës së artit, muzikës dhe edukatës fizike nga 4 euro. Të njëjta çmime variojnë edhe për nxënësit e klasave nga e dyta deri në të pestën.
Sivjet janë paraparë të furnizohen me tekste të reja nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën. Legjislacioni parasheh që nxënësit e nivelit të mesëm të ulët të punojnë me libra të gjeneratës së kaluar.
Dragusha ka thënë se është arritur marrëveshje me Ministrinë që në këtë vit të furnizohet me tekste të reja edhe ky nivel, meqë shumë tekste nuk janë funksionale pasi janë të plotësuara e të vjetërsuara.
“Për klasat VI-IX, ministrja njoftoi se ka vendosur t’i rimbursojë prindërit me një vlerë të caktuar, e cila do të jetë e mjaftueshme për blerjen e librave ushtrimorë, gjë që ka qenë edhe kërkesë e mëhershme e Këshillit të Prindërve”, ka thënë ai.