Nga e premtja prindërit mund të aplikojnë për subvencionimin e teksteve shkollore të fëmijëve të tyre, bëri të ditur ministrja e Arsimit të enjten mrëma. Do të ndahen 80 euro për nxënësit nga klasa 1 deri në klasën e 5 për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore, e po ashtu për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9 nga 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore. E, kur ka mbetur edhe një javë nga fillimi i vitit të ri shkollor, libraritë ende nuk janë furnizuar me tekste shkollore
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se nga e premtja prindërit mund të aplikojnë për subvencionimin e teksteve shkollore. Ajo ka njoftuar të enjten mbrëma se do të ndahen nga 80 euro për blerjen e librave për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën, si dhe nga 30 euro shtesë si mbështetje për materiale të tjera shkollore për nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën.
“Nga nesër mund të aplikoni për subvencionimin e teksteve shkollore. Mjetet do të dalin në xhirollogaritë tuaja që nga fillimi i javës së ardhshme”, ka shkruar Nagavci. “Do të ndahen 80 euro për nxënësit nga klasa 1 deri në klasën e 5 për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore. Po ashtu, për herë të parë për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9 të cilët tashmë i kanë të siguruara tekstet mësimore, do të ndahen 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore”.
Ajo ka bërë të ditur se edhe çmimet e teksteve do të publikohen nga shtëpitë botuese, dhe ka thënë se lista e teksteve të përzgjedhura nga aktivet profesionale tashmë është e gatshme.
Nagavci ka ftuar të gjithë prindërit që të konsultohen me mësimdhënësit se cilat tekste duhet t’i blejnë.
Ndërkaq, libraritë në Kosovë ende nuk janë furnizuar me tekste shkollore, kur ka mbetur vetëm edhe një javë nga fillimi i vitit të ri shkollor.
Pronarë të shtëpive botuese, të cilët folën para njoftimit të ministres, kanë treguar se janë ende në pritje të vendimit të MASHTI-t.
Sivjet, pas 15 vjetësh, obligimi për t’i blerë tekstet shkollore do t’iu bartet prindërve, pasi Ministria 10 ditë para nisjes së procesit mësimor njoftoi se ka dështuar të arrijë marrëveshje me shtëpitë botuese, duke i akuzuar ato për ofertim me çmime shumë më të larta se ato që i vendosin në libraritë e tyre.