Arbëri

Ministri serb e quan “gënjeshtër të madhe” masakrën e Reçakut, reagojnë Walkeri e BE-ja

Foto: Driton Paçarada / KD

Krerë të institucioneve serbe edhe njëherë tjetër e kanë mohuar masakrën e Reçakut. Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandër Vulin, tha se masakra e Reçakut është “falsifikim dhe gënjeshtër e tmerrshme”. Ndaj deklaratës së tij ka reaguar ish shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, e edhe Bashkimi Evropian. Kanë theksuar se krimi në Reçak është i dokumentuar dhe për të nuk ka vend për mohim.

Reagime të menjëhershme brenda e jashtë Kosovës ka nxitur deklarata e ministrit të Brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili e quajti “gënjeshtër të madhe” masakrën e Reçakut.

Masakra, ku mbetën të vrarë 44 civilë dhe e cila nxiti ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë, sipas Vulinit, ishte falsifikim i tmerrshëm.

Këto komente ai citohet t’i ketë bërë në një vizitë në rrethinën e Nishit, ku Serbia është duke bërë xhirime të një seriali të asaj që pretendon se ka ndodhur në Reçak.

“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë dhe as të zgjuar për t'i treguar gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte. Detyra e këtij brezi është t'i tregojë gjithë botës se na bombarduan dhe na bënë kriminelë falë gënjeshtrës dhe se gjaku i fëmijëve tanë është mbi ata që e shpikën këtë gënjeshtër”, ka thënë Vulini.

Për këtë deklaratë ka reaguar edhe ish-shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker. Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Walkeri tha se prezantimi i masakrës si trillim po bëhet nga persona që kanë qenë të përfshirë në krime kundër popullatës civile në Kosovë.

“Disa nga njerëzit që sot janë duke e propaganduar [masakrën e Reçakut] si ‘një gënjeshtër të madhe’, kanë qenë në fakt të përfshirë në fshehjen e saj që nga fillimi. Mendoj se presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, është shembull shumë i mirë. Ai ka qenë ministër i Informimit në kohën e Slobodan Milosheviqit. Ai ka qenë pjesëmarrës në vendimmarrjen e asaj kohe”, ka thënë Walkeri.

Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se janë duke mbledhur fakte për krimet e Serbisë, në bazë të të cilave janë duke përgatitur padinë për gjenocid.

“Ne e dimë, e gjithë bota e di që Serbia ka kryer masakra në Republikën e Kosovës dhe për këtë patjetër që të gjitha ato fakte i kemi dhe i posedojmë. Këtë e di më së miri bota demokratike që në Kosovë është kryer masakër dhe gjenocid”, ka deklaruar zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.

Deklarimin e Vulinit e ka kundërshtuar edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano, i cili ka thënë se masakra e Reçakut është krim i dokumentuar, që nuk ka vend për mohim. Ai ka theksuar se autoritetet në rajon duhet të punojnë për vlerësimin e sinqertë të së kaluarës në respekt të viktimave.

“Ajo që ndodhi në Reçak të Kosovës dhe mizoritë e kryera atje në janar 1999 janë të dokumentuara mirë. Mohimi është në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe në kundërshtim me projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Rajoni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të marrëdhënieve. E ritheksojmë se nuk ka vend për të mohuar apo për ta nënvlerësuar atë që ndodhi në Reçak”, është shprehur Stano.

Masakrën e Reçakut e kishte mohuar edhe Ivan Todosijeviçi gjatë kohës që kishte qenë ministër i Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, gjë për të cilën përveç që ishte shkarkuar nga kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj, edhe është dënuar me dy vjet burgim.

Masakra në Reçak ka ndodhur më 15 janar të 1999-s.

Një ditë pas, vendin e krimit e kishte vizituar William Walker, i cili ngjarjen e kishte quajtur krim kundër njerëzimit.