Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ministri Mehaj reagon pas armatimit të Serbisë me sisteme raketore kineze

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka reaguar pas raportimeve se Serbia ka blerë sisteme raketore dhe po ashtu armatim nga Kina.

Mehaj e ka quajtur këtë sjellje të Serbisë si destruktive, të rrezikshme dhe anti-perëndimore.

“Me blerjen e sistemeve raketore dhe armatimit të ri nga Kina, si dhe sistemeve të mëhershme nga Rusia, rikonfirmohet fuqishëm edhe njëherë sjellja destruktive, shumë e rrezikshme dhe anti-perëndimore e Serbisë. Sipas informacioneve të dy ditëve të fundit, Serbia ka pranuar nga Kina sisteme të reja të armatimit duke shtuar kontingjentin e saj të mëhershëm të pranuar nga Rusia e Bjellorusia. Kjo shfaqje e neveritshme po ndodh në kohën kur BE dhe NATO dhe gjithë bota pro- vlerave euroatlantike është në përballje me sulmuesin e këtyre vlerave, Rusinë dhe aleatët e saj. Nga kush rrezikohet Serbia, apo kundër kujt armatoset Serbia me sistemet më të avancuara sulmuese dhe mbrojtëse? Ç’është kjo hipokrizi? Deri kur me këto standarde të dyfishta?” – ka shkruar Mehaj në Facebook.

Mehaj ka thënë se Kosova vazhdimisht ka reaguar ndaj këtyre sjelljeve destruktive të Serbisë.

“Republika e Kosovës, institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes si dhe ne, populli paqedashës dhe liridashës, kemi shprehur në vazhdimësi shqetësimin e arsyeshëm, si dhe në vazhdimësi kemi reaguar për këtë qasje destruktive dhe të rrezikshme të Serbisë ndaj paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Prandaj, kërkojmë nga autoritetet e vendimmarrjes së NATO-s, BE-së dhe OKB-së, si dhe të gjitha instancat tjera të politikëbërjes pro-vlerave të paqes, lirisë dhe demokracisë të shqyrtojnë me seriozitetin maksimal këtë qasje destruktive dhe të rrezikshme të Serbisë që ndikon seriozisht në minimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. Republika e Kosovës, institucionet dhe populli ynë jemi të vendosur dhe e kemi dëshmuar fuqishëm orientimin tonë euroatlantik me aspiratën e natyrshme për anëtarësim sa më të shpejtë në NATO dhe BE. Këtë e kemi konfirmuar çdoherë por edhe tani, ku përkrahë me aleatët tanë të udhëhequra nga SHBA, vazhdojmë procesin e ndërtimit dhe zhvillimit të ushtrisë sonë dhe të gjitha institucioneve tjera shtetërore sipas praktikave dhe modeleve më bashkëkohore të demokracive perëndimore”, ka shkruar Mehaj. “FSK-në - Ushtri të fuqishme profesionale në mbrojtjen e vendit dhe në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal, kontinental dhe global. Ky është misioni ynë dhe ky është interesi ynë jetik shtetëror e kombëtar. Për këtë jemi të pandalshëm, të pakthyeshëm dhe të pathyeshëm”.

Edhe Maqedonci thotë se raketat kineze të blera nga Serbia janë rrezik për të gjithë Ballkanin Arbëri Maqedonci thotë se raketat kineze të blera nga Serbia janë rrezik për të gjithë Ballkanin

Në mediume është raportuar për dy dërgesa gjysmë të fshehta me sisteme raketore që i kanë ardhur Serbisë nga Kina. Më herët Serbia është armatosur edhe nga Rusia.