Ministri i Tregtisë, Vesel Krasniqi, ka lëshuar mbledhjen e 34-të të kabinetit të Qeverisë, pasi nga rendi i ditës u hoq një pikë e propozuar nga kjo ministri.
Heqja e pikës së rendit të ditës për vendimin për dhënien e statusit investitor strategjik për “Kosmonte Foods”, bëri që të ketë replika mes ministrit Krasniqi, që vjen nga radhët e Nismës Socialdemokrate, dhe kryeministrit Avdullah Hoti.
Pasi Hoti propozoi që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës, Krasniqi kundërshtoi duke thënë se janë kryer të gjitha procedurat në kohë dhe “gjithçka ka qenë pozitive”. Ai u shpreh se s’ka arsye për shtyrje të kësaj pike për në mbledhjen tjetër dhe më pas ka lëshuar mbledhjen.
Në këtë mbledhje, ekzekutiv shfuqizoi vendimin për themelimin e Agjencisë për Integrim Evropian.
Qeveria e Kosovës votoi pro emërimit të Driton Selmanajt si përfaqësues i Qeverisë në punimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Edhe
Zyra për kategoritë e dala nga lufta kalon në ministrinë e Punës
E po ashtu u miratua propozimi i Ministrisë së Financave për ndarjen e 11 milionë euro për zbatimin e masave të rimëkëmbjes ekonomike.
Edhe Rregullorja për atashetë e mbrojtjes ka marrë miratimin. Kjo Rregullore përcakton statusin, detyrat dhe përgjegjësitë, procesin e përzgjedhjes, pranim-dorëzimin e detyrës, kohëzgjatjen e shërbimit, pagesën, kompensimet tjera dhe ndërprerjen e shërbimit të Atasheut të Mbrojtjes dhe oficerit ndërlidhës të akredituar në misionin diplomatik të Kosovës në vendet tjera apo në organizata ndërkombëtare.
Qeveria ka emëruar tre përfaqësues të lartë nga Qeveria për anëtarë të Këshillit Konsultativ për Komunitete: Ivan Millojeviq, Lindon Pajaziti, Suad Ademi.
Dy vendime përfundimtare të shpronësimit të pronave të paluajtshme për interes publik, kanë marrë miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme. Vendimi i parë është për shpronësimin e pronave të ish Fabrikës së Tjegullave në Prishtinë, të cilat do të jenë në dispozicion të realizimit të projekteve të Komunës së Prishtinës, ndërsa vendimi i dytë për shpronësimin e ish-pronave shoqërore në Zabel të Ulët për ndërtimin e ‘Lokacionit për varreza’, pronat në Drenas dhe Çikatovë për ndërtimin e ‘Tregut të kafshëve’, pronat në Korroticë të Epërme për zgjerimin e ‘Zonës ekonomike në Drenas’, dhe pronat në Zabel të Ulët që do të shërbejnë për ndërtimin e Impiantit për Ujëra të Zeza, sipas njoftimit nga Qeveria.
Qeveria ka miratuar vendimin për ndryshimin e statusit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Bifurkacioni”, nga Ndërmarrja Publike Lokale në Ndërmarrje Publike Qendrore. Ndryshimi i statusit ka për qëllim integrimin e komunave të Hanit të Elezit dhe Shtërpcës në shfrytëzimin e shërbimeve nga kjo kompani.
Edhe
Qeveria shuan ndërmarrjen që s’bënte gjë
Qeveria ka miratuar vendimin për emërimin e anëtarëve të bordit të Autoritetit të Aviacionit Civil në këtë përbërje: Skender Halili - kryesues; Ardian Gaxherri - anëtar; Myzejene Selmani - anëtare; Jeton Paloka - anëtar; Nazlie Krasniqi –Korçaj - anëtare.
Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe vendimin për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030. “Kjo strategji do të jetë dokumenti kryesor i planifikimit afatgjatë për të zbatuar vizionin e Kosovës për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.