Prishtinë, 6 nëntor - Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka marrë sot në Berlin zotimin e shtetit gjerman për mbështetje në reformat e nisura, njoftoi kjo ministri përmes një komunikate për media. Ai sot u prit në Berlin nga ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, me të cilin ka diskutuar se si Gjermania do të mund të ndihmojë reformat e nisura për transformimin e shëndetësisë në Kosovë.
“Në reformat në fushën e shëndetësisë që kemi nisur në Kosovë, ndihma e Gjermanisë do të jetë më se e mirëseardhur. Falënderoj ministrin Spahn për pritjen dhe gatishmërinë e shtetit gjerman që të na gjendet afër në misionin tonë për transformimin e shëndetësisë”, ka thënë ministri Ismaili pas takimit me ministrin gjerman.
“Kërkuam nga Gjermania që me ekspertët e saj, përmes trajnimeve, të na ndihmojë në menaxhimin e spitaleve dhe fuqizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Morëm konfirmimin e ministrit Spahn, se sikur në shumë fusha që Gjermania ka ndihmuar Kosovën, përkrahja e tyre do të vazhdojë edhe në shëndetësi”, shtoi ministri Ismaili.
Nga ana e tij, ministri gjerman Jens Spahn, shprehu gatishmërinë e tij dhe të Gjermanisë që bashkëpunimin mes dy vendeve ta fuqizojnë edhe në fushën e shëndetësisë.
Ministri Ismaili po qëndron për një vizitë triditore në Gjermani për të siguruar mbështetjen e shtetit gjerman në reformat për krijimin e një sektori shëndetësor që në qendër ka qytetarin.
-
Gjermania ndihmon funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore në Kosovë
-
Zyrtarizohet marrëveshja që çon më shumë infermierë kosovarë në Gjermani
-
Osmani insiston për anëtarësimin e Kosovës në BE, ministri gjerman kërkon formim të Qeverisë
-
Gjermania e Kosova vazhdojnë bashkëpunimin në shëndetësi
-
Haradinaj: Kosova ka kapacitete të ofrojë shërbime shëndetësore edhe për Gjermaninë