Ministri në detyrë i Shëndetësisë në Kosovë, Uran Ismaili, ka pranuar një letër zyrtare nga homologu i tij gjerman, Jens Spahn, bën të ditur kjo ministri përmes një njoftimi për media. Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn konfirmoi gatishmërinë e shtetit gjerman për ndihmë ndaj Kosovës në krijimin e sigurimeve shëndetësore.
Bashkëpunimi në mes të Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Kosovës dhe Fondit të Sigurimit Gjerman, AOK, i cili do të nisë menjëherë në janar të vitit 2020, është rezultat konkret i një memorandumi të përbashkët të mirëkuptimit që u nënshkrua në korrik të këtij viti.
Gjatë një konferencë për media të mbajtur sot nga ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ministri kosovar ka thënë se kjo marrëveshje bashkëpunimi është një hap i madh drejt realizimit të sigurimeve shëndetësore.
“Tani po nisim bashkëpunimin konkret me Gjermaninë për të funksionalizuar Fondin e Sigurimit Shëndetësor, projekt ky që buron nga marrëveshja e nënshkruar në korrik me ministrin gjerman Spahn”, ka thënë ministri Ismaili. Sipas tij, projekti do të ndahet në dy faza, ndërsa e para do të fillojë në janar të vitit 2020.
Në anën tjetër, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, theksoi: “Jemi krenarë që pas punës intensive të të dy ministrive tona të shëndetësisë, janë harmonizuar hollësitë e bashkëpunimit tonë në ngritjen e Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Kosovës. Ne jemi të bindur që me një përkushtim të madh të Qeverisë së Kosovës dhe punën e përbashkët të të gjithë akterëve të përfshirë, mund të arrihet përparim thelbësor për qytetarët.”
-
Zyrtarizohet marrëveshja që çon më shumë infermierë kosovarë në Gjermani
-
Gjermania pret thellim të bashkëpunimit me institucionet e Kosovës
-
Kurti “zhvlerëson” Sigurimet Shëndetësore, puna për zbatimin e tyre nuk është as afër
- Partneriteti gjermano-kosovar 2022/2023: Bashkërisht për arritje më të mëdha!
-
Gjermania e Kosova vazhdojnë bashkëpunimin në shëndetësi