Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, është ankuar se mosliberalizimi i vizave po i shkakton telashe Kosovës në shkëmbimin e përvojave dhe trajnimin e satfit të mjekëve, infermierëve e teknikëve në vendet e Bashkimit Evropian.
Në një njoftim të MSH-së është bërë e ditur se këtë deklaratë Latifi e ka bërë në takimin në Vjenë me dy eurodeputetët austriakë, Lukas Mandl dhe Andreas Schieder.
“Në këtë takim u bisedua për mundësinë e zhvillimit të sistemit shëndetësor të Kosovës, e po ashtu edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Për këto çështje, ministri Latifi, kërkojë nga eurodeputrtët, z. Mandi dhe z. Schieder, lobim më të madh në institucionet e Bashkimit Evropian, në mënyrë që të bëhet lëvizja më e lehtë e mjekëve tanë dhe e qytetarëve të Kosovës në përgjithësi në shtetet e Bashkimit Evropian. Ministri Latifi, theksoi se mosliberalizimi i vizave po na shkakton shumë probleme në shkëmbimin e përvojave dhe trajnimin e stafit të mjekëve, infemierëve dhe teknikëve, në vendet e Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftim të MSH-së.
Sipas njoftimit, Latifi ka marrë mbështetje nga eurodeputetët për angazhim më të madh për liberalizimin e vizave.
Trendi i ikjes së mjekëve nga Kosova për të ushtruar profesionin jashtë vendit është duke vazhduar qe disa vite. Sipas Odës së Mjekëve, vetëm në 6 muajt e parë të vitit sivjet kanë ikur nga Kosova 108 mjekë.
Edhe
Oda e Mjekëve: Për 28 ditë u larguan 42 punonjës shëndetësorë
Ministri Latifi e ka quajtur këtë problem rrënjësor për shëndetësinë kosovare. Para pak ditësh, ndonëse ishte shprehur se po punon në krijimin e kushteve më të mira për profesionistët shëndetësorë, Latifi pati deklaruar se asnjëherë nuk do të mund ta ndalojë këtë dukuri të ikjes së trurit në 100%.
“Vendimi i një mjeku apo një infermiereje të qëndrojë në Kosovë ose të shkojë jashtë është shumë kompleks, t’i ndërrojë të gjitha elementet, t’i ndërtojë të gjitha qendrat e ekselencës dhe të gjitha programet që strategjia dhe qeveria jonë i ka përpara, ne nuk do të mundemi me ndal 100% largimin e mjekëve prej një vendi në tjetrin”, pati thënë ai.