Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, ka thënë se është i shqetësuar me situatën në Ballkanin Perëndimor duke pasur parasysh krizat në muajt e fundit, veçanërisht në Kosovë. Ai ka thënë se çështja e dinarit duhet të zgjidhet në tryezën e bisedimeve në Bruksel.
Në një intervistë për “Blicin” e Serbisë, aty ku po qëndron për vizitë, Pistorius të martën ka thënë se duan të kontribuojnë në stabilizimin e rajonit pasi është “e rëndësishme për Gjermaninë”.
“Një nga pikat kryesore të menaxhimit tonë ndërkombëtar të krizave është Ballkani Perëndimor. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme për mua të fitoj njohuri personale për punën e ushtarëve tanë në kontingjentet operative në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë. Me këtë dua t'u tregoj ushtarëve tanë se Gjermania i mbështet ata dhe se misioni i tyre ka një rëndësi të madhe për ne. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme për mua që të marr një pasqyrë gjithëpërfshirëse të situatës në vend, në kontakt të drejtpërdrejtë me njerëzit. Prandaj vendosa të vizitoj Serbinë në këtë udhëtim dhe të zhvilloj bisedime me zyrtarët këtu. Qëllimi im është të kuptoj më mirë pikëpamjet e të gjithë aktorëve në rajon. Për të qenë i sinqertë: Jam i shqetësuar se situata në Ballkanin Perëndimor është shënuar nga tensione në disa raste gjatë muajve të fundit. Ky rajon i rëndësishëm në zemër të Evropës, jo shumë larg Gjermanisë, kërkon vëmendjen tonë. Për të qenë të qartë, ne duam të kontribuojmë në stabilizimin në rajon. Ne duam të mbështesim rajonin dhe, në të ardhmen, të ndjekim nga afër rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian. Në parim, situata në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë aktualisht është paqësore. Megjithatë, pikërisht në Kosovë situata është ende e ndjeshme, siç ka treguar viti i kaluar. Por edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, situata mund të përshkallëzohet për shkak të retorikës provokuese dhe veprimeve provokuese të disa politikanëve. Prandaj, së bashku me partnerët tanë, ne monitorojmë nga afër situatën dhe jemi në gjendje të reagojmë shpejt, gjë që e dëshmuam në fund të vitit të kaluar”, ka thënë ai.
Fatkeqësisht, siç thotë Pistoriusi, nuk është arritur progres i qëndrueshëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ministri gjerman thotë se kjo duhet të ndryshojë.
“Situata në rajon mbetet komplekse dhe ndonjëherë e tensionuar për shkak të konflikteve të ndryshme, të rrënjosura thellë dhe pjesërisht historike. Marrëdhëniet mes dy vendeve po zhvillohen ngadalë. Dialogu për normalizimin nën patronazhin e BE-së vazhdon të japë impulse të reja, por, për fat të keq, nuk arrin progres të qëndrueshëm. Progresi shpesh bllokohet nga mosbesimi i thellë. Nga njëra anë, kjo është e kuptueshme, sepse jo të gjitha plagët e së kaluarës janë shëruar. Nga ana tjetër, progresi nuk mund të arrihet pa afrim dhe besim të ndërsjellë. Për mendimin tim, normalizimi i marrëdhënieve është hapi i parë drejt një të ardhmeje pozitive. Si në çdo konflikt, nuk ka kurrë vetëm një palë për të fajësuar. Të dyja palët duhet të rishqyrtojnë pozicionet e tyre të çimentuara më parë. Ua bëj të qartë të gjithëve me të cilët flas gjatë udhëtimit tim se provokimet nuk janë kurrë të dobishme. Bëhet fjalë që të gjitha palët të bëjnë një hap përpara dhe të dërgojnë shenja të dukshme gatishmërie për kompromise”, ka deklaruar ai.
Pistorius ka thënë se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit dhe e njeh euron si valutën e vetme, duhet të zgjidhet në tryezën e dialogut dhe të shmangen veprimet që sjellin përshkallëzim.
“Këtu u përplasën dy këndvështrime: nga njëra anë, rregullorja paraqet zbatimin e Kushtetutës së Kosovës, dhe nga ana tjetër, Kushtetuta e Serbisë parasheh dinarin si mjetin e vetëm të pagesës. Për mua është e qartë se pjesa serbe e popullsisë, veçanërisht në veri të Kosovës, ende varet nga përdorimi i dinarit serb. Ndryshimi kërkon kohë. Dhe kjo kohë duhet t'i jepet vetes, për të arritur zgjidhje përmes dialogut. Mendoj se edhe ky konflikt duhet të zgjidhet në tryezën e bisedimeve në kuadër të dialogut të paqes të udhëhequr nga BE-ja. Deri atëherë duhet shmangur përshkallëzimi për shkak të veprimeve të nxituara”, ka theksuar ai.
Edhe
Ministri gjerman i përgjigjet Vuçiqit në Beograd se pse Gjermania po e armatos Kosovën
Pistoriusi ka thënë se kontingjenti gjerman i trupave të KFOR-it në Kosovë do të rritet nga rreth 70 ushtarë aktualisht në rreth 250.
“Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme të theksohet se ushtria mund të kontribuojë në zgjidhjen, por nuk mund ta arrijë e vetme. Ne duhet të kemi sukses në stabilizimin e situatës në afat të gjatë përmes një qasjeje të integruar të sigurisë. Këtë e bëj të qartë edhe në bisedat e mia gjatë këtij udhëtimi”, ka shtuar Pistorius.
Pistorius ishte për vizitë në Kosovë të hënën, nga ku pati të njëjtat thirrje.
-
Gjermania premton ndihmë në fushën e mbrojtjes, Osmani flet për rreziqet nga Serbia
-
Gërvalla me ministrin gjerman: Duhen hapa të shpejtë për të ruajtur paqen në rajon
-
NATO: S’lejojmë të rrezikohet siguria e Ballkanit Perëndimor, është jetike për stabilitetin tonë
-
Tensionet Kosovë-Serbi me efekt përhapës në rajon