Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Minatorët i përgjigjen Qeverisë: Paga mesatare në Trepçë është 700-750, jo 1250 euro

Minatorët e Minierës së Trepçës kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës se ka shpërndarë informacione të pavërteta dhe propaganduese, kur ka thënë se paga mesatare e minatorëve është 1254 euro. Në një reagim të publikuar të premten në mbrëmje, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka thënë se paga mesatare është 700-750 euro.

“Me datën 27.10.2023 Ministria e Ekonomisë së Republikës së Kosovës ka bërë publikimin e një lajmi kinse paga e minatorëve në minierën Trepça ka vlerën prej 1254 euro. Lajm i cili është shpërndarë në rrjete sociale dhe mediat elektronike. Me anë të këtij postimi e demantojmë fuqishëm një informacion të tillë të pavërtetë dhe propagandues. Publikimi i një lajmi të tillë qëllimin e vetëm e ka dezinformimin e opinionit publik dhe krijimin e një klime negative lidhur me grevën të cilën jemi duke e mbajtur si minatorë. Si formë e përshtatshme për ta humbur ndikimin dhe rëndësinë e grevës në opinionin publik”, thuhet në reagim.

Sipas njoftimit të kësaj sindikate, paga mesatare është 700-750 euro. Minatorët, që kanë hyrë në ditën e katërt të grevës, kanë përsëritur kërkesat e tyre duke thënë se ato s’kanë të bëjnë për ngritje pagash.

“Kërkesat tona të parashtruara në mënyrë publike tanimë e disa muaj janë të qarta dhe konkrete. Përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi shëndetësor, pagesa e pagave në aktuale me kohë dhe shkarkimi i një menaxhmenti i cili çdo ditë e më shumë është duke e shkatërruar minierën e Trepçës. Këto kanë qenë dhe mbeten kërkesat tona dhe se minatorët nuk do të dorëzohen deri në realizimin e kërkesave të tyre”, thuhet në reagim.

Gjatë ditës, Ministria e Ekonomisë ka thënë se është njoftuar me kërkesat e grevistëve, e ka shtuar se Qeveria ka ndarë mjete një ditë para nisjes së grevës më 24 shtator. Sipas ME-së, e vetmja kërkesë e minatorëve që ka mbetur pa u plotësuar ka qenë shkarkimi i ushtruesit të detyrës së kryeshefit.

Ministria u ka bërë thirrje minatorëve që t’i kthehen punës. Kjo ministri ka thënë se “çdo ditë mospune Trepçës i kushton 40-50 mijë euro dhe vështirëson operimin e ndërmarrjes dhe mundësinë për të paguar pagat me kohë”.

Edhe Minatorët e “Trepçës” kërkojnë paga më të larta dhe investime në ndërmarrje Arbëri Minatorët e “Trepçës” kërkojnë paga më të larta dhe investime në ndërmarrje

Të premten, gjashtë minatorëve iu përkeqësua gjendja shëndetësore si pasojë e grevës. Në orët e paradites, tre prej tyre janë dërguar pa vetëdije në spital, teksa pasdite edhe tre të tjerë. Nga Spitali i Mitrovicës bënë të ditur për KOHËN se gjendja e tyre shëndetësore, pas trajtimit të bërë, është e mirë. Sipas drejtoreshës së spitalit, Luljeta Zhubi, pesë nga minatorët kanë marrë terapi dhe janë liruar. Ajo bëri të ditur se të gjashtat janë pranuar në spital në gjendje të lodhur dhe me marramendje.

Në një intervistë për KOHËN, kryetari i Sindikatës së pavarur të Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi, është shprehur i zhgënjyer me mungesën e interesimit të Qeverisë për kërkesat e tyre dhe ka paralajmëruar radikalizim të masave po qe se nuk do të ketë reflektim për kërkesat e minatorëve.

Intervistën e plotë me Januzin mund ta ndiqni nga ora 22:50, në emisionin Interaktiv.