
Gani Osmani nga Sindikata e Trepçës ka deklaruar se minatorët punojnë në kushte ekstreme, e sipas tij, një pjesë e madhe e tyre kanë vdekur ndër vite si pasojë e sëmundjeve kronike të marra nga kushtet e këqija.
Ai ka deklaruar të enjten në Konfront të KTV-së se paga mesatare e minatorëve është 720 euro, por ai shtoi se paga dallon nga puna në sipërfaqe dhe nëntokë.
“Paga mesatare e minatorit është 720 euro...Minatori e ka pagën 800 euro në kualifikim të lartë. Por, në çfarë kushtesh punojnë, duhet të ketë dallime në pagë. Ka edhe dallime në sipërfaqen e tokës dhe të nëntokës. Dallimi është rreth 150 euro, e nuk është shumë i madh. Paga duhet të jetë më i mirë nëntokë se mbi tokë...Minatorët punojnë në kushte ekstreme, në temperatura të larta e me lagështi të madhe”, ka deklaruar Osmani.
Sipas tij, kushtet e punës në miniera janë të rënda pasi siç ka thënë Osmani, makineritë janë me naftë dhe me djegie të brendshme që shkaktojnë edhe dëme në shëndetin e minatorëve.
“Nga paslufta deri në 2023-n, i kemi mbi 60 minatorë që kanë vdekur nga sëmundjet kronike”, ka thënë Osmani.