Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Milionat e Serbisë për kompanitë energjetike në Kosovë

Kompania energjetike e Serbisë, EPS (Elektroprivreda Srbije) është themeluese e katër kompanive nga Kosova, por aktualisht asnjëra prej tyre nuk e kryen aktivitetin për të cilin është themeluar.

Në këto kompani janë të punësuar rreth 3.300 punëtorë dhe EPS-ja ka ndarë rreth 42 milionë euro për punën e tyre në vitin 2021.

Në një raport për problemet në sektorin energjetik në Serbi në korrik të vitit 2022, Këshilli Fiskal i Serbisë deklaroi se EPS-ja vetëm i “mbështet” ata punëtorë, pasi nuk ka kontroll mbi asetet dhe operacionet e kompanive nga Kosova.

“Elektrosever” ka licencë, por ende nuk operon në Kosovë

E vetmja kompani që ka licencë për të punuar në Kosovë është “Elektrosever”, e cila ende nuk është funksionale.

Kompania “Elektrosever” është kompania më e re e EPS-së në Kosovë. Ajo është themeluar në vitin 2016 me qëllim të furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Ndryshe, që nga viti 1999, banorët e komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, nuk i kanë paguar faturat për energjinë e konsumuar. Sipas të dhënave të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT), humbjet vetëm për vitin 2021 arritën shumën prej 40 milionë eurosh.

Që nga viti 2017, sipas autoriteteve të Kosovës, borxhet për energji elektrike janë mbuluar nga KOSTT, gjegjësisht Qeveria e Kosovës. Deri atëherë, borxhin për veriun e paguanin paushall qytetarët e Kosovës nga komunat tjera në jug të Ibrit, kështu që faturat e tyre ishin më të larta për 3.5 për qind, por u konstatua se kjo praktikë ishte e kundërligjshme.

Themelimi i “Elektrosever” ishte paraparë me Marrëveshjen për Energjinë të vitit 2013 dhe 2015 ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe kompania është themeluar në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.

Kosova dhe Serbia më 21 qershor të vitit 2022 në Bruksel kanë miratuar udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes. Në bazë të asaj marrëveshjeje, më 24 qershor, Zyra e Rregullatorit për Energji të Kosovës (ZRRE) i ka lëshuar licencën për furnizim kompanisë “Elektrosever”.

Mirëpo, siç ka raportuar REL në korrik, “Elektrosever” ende nuk i ka ofruar Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe KOSTT-it të dhënat që ka në dispozicion për konsumatorët në veri të Kosovës.

"Elektrosever" gjithashtu nuk i ka nënshkruar ende marrëveshjet e nevojshme teknike me KEDS-in dhe KOSTT-in, për të operuar në tregun për energji të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një intervistë për REL në gusht tha se kjo tregon se Serbia nuk i respekton obligimet e saj.

Kurti po ashtu tha se situata është shqetësuese pasi Kosova nuk ka mundësi të paguajë faturat për veriun e Kosovës gjatë dimrit të ardhshëm.

“Unë e di që nëse do ta shkëputnim veriun e Kosovës në Mitrovicë, në kuptimin e furnizimit me energji elektrike, menjëherë do të fillonte fushata për krizën humanitare në veri”, tha ai.

Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë parasheh që “Elektrosever” të marrë përgjegjësitë e “Elektrokosmet”, një tjetër kompani që funksionon në kuadër të kompanisë energjetike të Serbisë.

“Elektrokosmet” pa juridiksion në Kosovë

“Elektrosever” është e regjistruar në të njëjtën adresë në Mitrovicën e Veriut në Kosovë, si seli e përkohshme e “Elektrokosmet”, kompani e cila ekziston që nga viti 1989.

“Elektrokosmet” dhe EPS-ja nuk i janë përgjigjur pyetjes së REL-it nëse planifikohet mbyllja pasi “Elektrosever” të marrë përgjegjësitë e asaj kompanie.

Sipas marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, punëtorët e “Elektrokosmet” ose do të punësohen në kompaninë e re, ose mund t'u ofrohet punësim në KEDS.

Kjo kompani në vitin 1999, pas luftës në Kosovë, siç pretendohet në raportin vjetor të biznesit të vitit 2021, ka humbur kontrollin mbi kapacitetet e saj energjetike në Kosovë, përveç në veri.

Në fund të vitit 2009, kompania [“Elektrokosmet”] filloi leximin dhe dërgimin e faturave të energjisë elektrike në veri të Kosovës, të cilat autoritetet kosovare i konsiderojnë të paligjshme për shkak se kjo kompani nuk ka licencë për t'u angazhuar në këtë aktivitet. Prandaj qytetarët e veriut të Kosovës nuk ishin të obliguar t'i paguanin ato.

Në raportin e kompanisë mund të gjenden edhe informacione se nga viti 2020 “Elektrokosmet” do të furnizojë vetëm komunitetin lokal të Leshakut dhe Trepçës në Leposaviq, që përbën rreth 13 për qind të sipërfaqes së pjesës veriore të Kosovës, ku popullsia furnizohet me energji elektrike.

Që atëherë, kompania nuk ka lëshuar as faturat e energjisë elektrike, pasi siç pretendojnë në raport, që nga ai vit energjia nuk merret më nga sistemi i EPS-ot, por nga KOSTT-i./rel

Artikuj të ngjashëm