Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka kritikuar komentimin e vendimit të Gjykatës Themelore të Prizrenit për ish-inspektorët komunalë.
Akterë të Vetëvendosjes dhe ish-kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, kanë kritikuar vendimin e Themelores të marrë të martën.
Themelorja në Prizren ka dënuar me tri vjet burgim deputeten aktuale të Kosovës, Jetmira Vrenezi dhe ish-drejtorit të Inspektoratit në Prizren, Ilmi Thaqi.
Ata janë dënuar me burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi kanë dhënë pëlqimin për rrënimin e një aneksi të “Abi Qarshisë”, ndonëse i dëmtuari kishte dorëzuar aplikacionin për legalizimin e tij.
Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi ka thënë se Vrenezi nuk ka lejuar që paligjshmëria të vazhdonte.
Edhe
Deputeti i VV-së i del në krah koleges që u dënua me tre vjet burgim
“Siç kemi deklaruar asokohe themi edhe tash, në shkelje nuk është deputetja Vrenezi e as kolegët e saj, por Prokuroria e Prizrenit që i doli në krah paligjshmërisë”, ka thënë Rrustemi.
E Haskuka tha: “Nga sot rrënimi i objekteve pa leje në Kosovë trajtohet si “keqpërdorim detyre”. Kosova vend i çudirave. Vettingu në drejtësi prioritet mbi prioritet”.
Miftaraj ka thënë se këto komentime janë ndërhyrje direkte në pavarësinë e sistemit gjyqësor.
“Komentimi i vendimeve gjyqësore (të drejta, të padrejta, të bazuara, të pabazuara) nga ana e partive politike është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në pavarësinë e sistemit gjyqësor”, ka shkruar Miftaraj, duke shtuar se Komisioni Evropian përmes raportit të progresit jo rastësisht i potencon çdo vit si probleme serioze politizimin dhe ndërhyrjet e politikës në sistemin gjyqësor në Kosovë.
Tutje, ai ka thënë se vettingu nuk ka alternativë, por se me deklarata të tilla politike, partia në pushtet nuk i ndihmon fare kërkesës popullore dhe nevojës për vetting në sistemin gjyqësor dhe prokurorial, “përkundrazi po e dëmton atë rendë”.
Edhe
Miftaraj: Vetëvendosje sinonim i shkeljeve kushtetuese, keqqeverisjes e korrupsionit
“IKD në vazhdimësi ka kërkuar nga partitë politike që mos të propozojnë në lista për deputetë, kandidatë të akuzuar për korrupsion. Andaj, kur sot iu dënohen deputetët për vepra penale korruptive, llogari duhet kërkuar nga kryetari i partisë, kryesia e partisë dhe edhe vetë këshilli i përgjithshëm. Qeverisja me duar të pastra nuk matet me deklarata politike por me veprime”, shtoi Miftaraj.