Arbëri

Meta takon Haradinajn, Thaçi sulmon Berishën e Limaj Thaçin në mediat shqiptare

Derisa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, duket se kanë pasur një takim të qetë mbrëmjen e së hënës, dy liderë të tjerë të Kosovës kanë shfrytëzuar paraqitjet mediale në Shqipëri, për të bërë akuza të ndërsjella.

Për takimin Meta – Haradinaj, fillimisht ka njoftuar vetë ky i pari në një postim në profilin e tij në Facebook.

“Kënaqësi e veçantë të ndaja sërish me kryeministrin, Ramush Haradinaj në Durrës pikëpamje mbi sfida të përbashkëta që forcojnë marrëdhëniet midis dy vendeve dhe perspektivën e përbashkët evropiane”, ka thënë Meta.

Pas tij ka shkruar edhe Haradinaj.

“Qëndrime unike me Presidentin Ilir Meta për temat me rëndësi për Kosovën e Shqipërinë”, ka thënë ai.

Por kreu i shtetit, Hashim Thaçi, në një paraqitje në Top Channel, ka përsëritur diskutimin e tij për mënyrën se si e sheh normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ka përsëritur se do që Lugina me tri komunat, Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë t’i bashkohen Kosovës derisa asnjë pëllëmbë të saj nuk do t’ia jepet Serbisë.

Por aty ka përsëritur edhe akuzat nga ish-kryeministrit e ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha. Si në Rubikon të KTV-së, edhe në Top Channel e ka quajtur Berishën argat të Millosheviqit.

“Edhe pse më ka burgosur edhe pse bashkëluftëtarët e mi, unë e kam respektuar dhe i kam shkruar në zyrë kur ishte i izoluar nga kombi dhe bashkësia ndërkombëtare në vitin ’99. E kam gjetur në gjendje të çakorduar mendërisht”, ka thënë Thaçi.

Në të njëjtën kohë, në një tjetër televizion në Shqipëri, ka folur zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj. E ka kritikuar ish-shefin e tij të partisë, presidentin e vendit Hashim Thaçi, pikërisht për idenë e korrigjimit të kufijve.

“Kemi bërë përpjekje për ta kthyer procesin në binarë, duke synuar gjithëpërfshirje. Çështja e Kosovës është përmbyllë në 2008 dhe ky është qëndrimi që përfaqësojmë”, ka thënë Limaj.