Arbëri

Meta: 4 protestuesit e protestës së 21 janarit i ka vrarë Edi Rama dhe Lulzim Basha

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka bërë përgjegjës kryeministrin Edi Ramën dhe liderin e PD-së, Lulzim Bashën, për vrasjen e 4 protestuesve më 21 janar 2011.

Ai i ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin” në Euronews, tha se vrasjet ishin planifikuar nga dyshja Rama – Basha.

“Katër protestuesit e vrarë më 21 janar i ka vrarë Edi Rama dhe Lulzim Basha”, u shpreh ai.

Ilir Meta tha se është informuar paraprakisht që në protestën e 21 janarit do të kryheshin vrasje. Kjo protestë ishte thirr atëbotë nga kryeministri i tashëm, Edi Rama. Kryeministër ishte Sali Berisha, kurse Lulzim Basha ishte ministër i Punëve të Brendshme.

“Në mëngjes më bie zilja te shtëpia ku rrija në Bllok. Vjen lajmi nga miqtë e mi të vjetër, nga jashtë. Më thotë vlerësoje këtë situatë se planifikohet se do të bëhen vrasje”, u shpreh Meta.

Meta tha se pas marrjes së këtij informacioni, lajmëroi Berishën se Rama dhe Basha kanë planifikuar të vrasin njerëz në protestë.

“Shkova te Berisha dhe i thashë se duhet t’i kërkojmë prokurorisë ta ndjekim këtë çështje, sepse ata kanë planifikuar të vrasin njerëz në protestë”, tha Meta.

Presidenti Meta tha se i ka dërguar paraprakisht informacione me letër zyrtare si LSI, Bashës, Policisë, Shërbimit Informativ dhe ata janë përgjigjur se i kanë marrë masat. /euronews