Mësuesja Valbona Tahiri, nga Drenasi, sot ka marrë çmimin “Shaban Jashari” nga Ministria e Arsimit, që ndahet për mësuesin e vitit.
Në “Express Intervistën” në KTV ajo ka thënë se një çmim i tillë përveç se e ka nderuar edhe është përgjegjësi për të shtuar angazhimin në edukimin e brezave të rinj.
“Ky çmim për mua do të thotë shumë, është shumë i madh me vet emrin që e mban - “Shaban Jashari”, të cilin e përkujtojmë si një veteran të arsimit, simbol të dijes dhe rezistencës. Është një çmim që përveç që është një nder për mua është edhe një përgjegjësi mjaft e madhe që unë të punoj me një përkushtim edhe më të madh dhe të angazhohem maksimalisht edhe më tutje gjatë gjithë karrierës sime për edukimin e brezave të rinj”, ka thënë Tahiri.
Ajo ka treguar se si bëhet përzgjedhja e mësuesit të vitit.
“Çdo shkollë përzgjedhë mësimdhënësin e vitit, pastaj këta emra shkojnë në drejtoritë e Arsimit dhe më pas njëri prej tyre kalon në nivelin qendror - pra në MASHT, ku aty një komision e përzgjedh më të mirin e vitit për tërë Kosovën”, thotë ajo.
Edhe
Mësimdhënësja Valbonë Tahiraj shpërblehet me çmimin “Shaban Jashari”
Tutje ajo ka shtuar se ky çmim i është ndarë për shkak të angazhimit të saj edhe jashtë punës që ka bërë me nxënësit.
“Mendoj se me këtë çmim është vlerësuar kontributi im jo vetëm me nxënësit, por edhe angazhimi im jashtë klase me kolektivin e shkollës, në reformimin e shkollës, e aktivitet në Komunën e Drenasit për të zbatuar kurrikulën e re. E shumë aktivitete edhe në qytete të tjera të Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Tutje ajo ka thënë se ka përqafuar reformën e re, dhe metodat e reja për të nxitur nxënësit që të jenë më aktivë.
“Mendoj se gjatë gjithë karrierës time, sidomos në dhjetë vitet e fundit, jam munduar që të përqafoj reformën e re, mundohem të motivoj nxënësit me metoda që janë kreative për ta. E drejta për t’u shprehur në klasën time është mjaft evidente edhe falë bashkëpunimit me prindër, dhe afërsia ime me nxënësit ka bërë që çdo formë të aktivitetet të realizoj me sukses, secili prej tyre ka drejtë të japë mendimin e vet”, ka thënë Tahiri.
Ajo më tutje ka treguar se çfarë duhet të bëjë një mësues për të mbajtur në kontroll nxënësit dhe t’i motivojë ata.
Edhe
Arta Gashi-Ahmetaj shpallet “Mësimdhënësja e Vitit”
“Asnjëherë deri më tani nuk më ka ndodhur që ndonjë nxënës të mos jetë i fokusuar në aktivitet, për të mbajtur ata në kontroll mësimdhënësit duhet të përdorin metoda e teknika të ndryshme që sjellin vetëm rezultate të mira, dhe deri më tani unë s’kam pasur asnjë problem. Duke e ditur përdorimin e madh të teknologjisë mundohem që çdo njësi mësimore të jetë atraktive dhe interesante në mënyrë që të zgjojë interesimin e tyre. Shpeshherë ju flas për dëmet që mund të sjell përdorimi i teknologjisë nëse përdoret në mënyrë të gabuar”, u shpreh Tahiri.
Sipas saj nëpër shkolla të Kosovës është duke u zbatuar përdorimi i teknologjisë, dhe nëse përdoret në mënyrën e duhur mund të ketë rezultate shumë të mira.
“Një mësues që të jetë i denjë ose i dashur për nxënësit duhet të jetë përgjegjës për punë e tij, llogaridhënës, gjatë mësimit të përdorë parimet dhe metodologji të përgjithshme, ku secili prej nxënësve ka të drejtë të shprehë mendimin e tij dhe motivimi për ata që kanë ngadalësim në arritjen e njohurive dhe gjetja e një metode nga mësimdhënësi është çelësi i suksesit”, thotë ajo.
Tahiri tregon se ajo është inspiruar nga babai i saj për angazhimin e madh në arsim.
“Në familjen time e kemi në gjenezë mësimdhënien, me babanë tim, Hajdin Kastratin, i cili ka qenë mësimdhënës qysh nga viti 1950 dhe ka kontribuuar me dekada për edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj. Frymëzimin dhe inspirimin e kam nga ai”, u shpreh Tahiri.
Edhe
Mësimdhënësi Shaip Krasniqi mori çmimin “Shaban Jashari”
Ajo vlerëson lartë kontributin e mësimdhënësve në vitet e 90-ta.
“Duke e ditur kohërat e vështira të kombit shqiptar, ka qenë një kohë mjaft e vështirë për të arritur atë që ka arritur babai im. Të gjithë ata mësimdhënës që kanë kontribuar në vitet e 90-ta ata mbajtën gjallë arsimin shqip dhe ringjallën shpresën për një Kosovë të pavarur. Tani mund të japim një kontribut shumë më të madh se që jemi duke e bërë”, u shpreh Tahiri.