Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) sot ka ndarë çmimin tradicional “Shaban Jashari”, për mësuesin më të mirë të vitit.
Me këtë çmim është shpërblyer mësimdhënësja nga Drenasi, Valbonë Tahiraj.
Ajo u shpreh e nderuar, derisa ka shtoi se, ky çmim i jep përgjegjësi edhe më të madhe për vazhdimin e punës në procesin edukativ, raporton Koha.
“Ndihem e nderuar që gjendem në mesin tuaj, ua uroj 7 marsin ditën e mësuesit. Populli ynë ka kaluar në kohëra të vështira, kujtojmë kohën kur intelektualë të shumtë dhanë kontributin e tyre duke ringjallur arsimin në Kosovë. Në këtë datë kujtojmë edhe të gjithë ata që kontribuuan duke hapur shkollat e para në shqip në kohërat më të vështira. Ky çmim që mban një emër të madh, më bën të ndihem e nderuar dhe ndjej një përgjegjësi të madhe për vazhdimin e punës në procesin edukativ”, ka thënë ajo.
Ndërkaq zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj ka thënë se kontributi i Kosovës në arsim është i madh.
“Arsimi ka rëndësi në zhvillimin e Kosovës pasi përfshihet në të gjitha sferat tjera që na rrethojnë. Jemi në një pikë kthese, ku më në fund mund të orientohemi nga zhvillimi. Sot jemi këtu për të shënuar përsosmërinë në arsimin në Kosovë. Ne kemi përzgjedhur një person që është këmbëngulës në zhvillimin e arsimit në Kosovë, më një profil të gjerë në fushën e arsimit. Mësimdhënës si këta kanë përkrahjen e Ministrisë gjithmonë”, ka thënë ai.