Ish-presidenti kroat

Mesiq: Serbia e madhe nuk mund të bëhet më

Stjepan Mesiq

Ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiq, ka thënë se Serbia e madhe nuk mund të bëhet më asnjëherë, duke shtuar se ka ende persona si krimineli Sllobodan Millosheviq që synojnë zgjerimin serb, duke aluduar te presidenti Aleksandar Vuçiq.

Mesiq ishte në Prishtinë në takimin “PanShqiptar-NdërBallkanik-EuroAtlantik”.

Ai ka thënë se Millosheviqi është përgjegjësi kryesor për viktimat në Kroaci, Bosnje e Kosovës.

“Ju falënderoj shumë që për 25-vjetorin e Pavarësisë të Kosovës gjendem këtu. Kur kam shkuar atëherë në Beograd, isha kryetari i Kryesisë së Jugosllavisë. E marr guximin t’ju them që unë do të jemi kryetari i fundit i Jugosllavisë. Millosheviq nuk mundi të pajtohej me atë që ne e propozuam të bëjmë konfederata. Ai nuk e pranoi këshillën tonë dhe mori kahje tjetër. Iniciative ime ishte që secili shtet të marrë kahun e vet. Millosheviq dhe njerëzit e tij nuk mundën ta pranojnë këtë model, i cili do të ishte pa luftë, pa viktima dhe do të ishte në të mirën e të gjithë popullit. E pamë të gjithë se si mbaroi kjo punë dhe me sa viktima. Fatkeqësisht, ende ka nga ata si Millosheviqi që synojnë ta bëjnë Serbinë e madhe, por unë ju them se ajo nuk mundet të bëhet. Për të gjithë ata që mendojnë që Serbia mundet të bëhet një shtet i madh, unë ju them që Serbia është një shtet i vogël në Ballkan”, ka thënë Mesiq.

Takimi “PanShqiptar-NdërBallkanik-EuroAtlantik me tematikë: Histori- Identitet- Integrim”, u mbajt në Prishtinë ë kuadër të 25-vjetorit të luftës së UÇK-NATO dhe lirisë së Kosovës, me mbi 600 të ftuar nderi. /KP