Ekspertët ndërkombëtarë i kanë rekomanduar Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike që të përditësojë literaturën, pasi sipas tyre nuk përkon me zhvillimet bashkëkohore. Në Fakultet mësohet për bazën e Robotikës me literaturë të vitit 2002. Në rast se këto rekomandime nuk zbatohen, sipas Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Akreditimin, rrezikohet revokimi i akreditimit
Kritika për përdorim të literaturës që nuk përkon me zhvillimet bashkëkohore ka drejtuar ekipi i ekspertëve ndërkombëtarë gjatë procesit riakreditues të programeve “Dizajn inxhinierik dhe Automjete” si dhe “Komunikacion dhe transport” në kuadër të Fakultetit Inxhinierisë Mekanike.
Ekipi i ekspertëve ndërkombëtarë i përbërë nga profesori slloven i Mekatronikës Andreas Mehrle dhe nga njohësi i çështjeve të studentëve Matej Drobniq, e kanë kualifikuar të moçme një literaturë të botuar në vitin 2016, e titulluar “Bazat e mjetit motorik”. E studentët në këtë fakultet mësojnë me literaturë të vitit 2002, për bazat e Robotikës.
Në raportin vlerësues, krahas vërejtjeve për përpilimin e planprogrameve studimore, ata kanë rekomanduar për fakultetin që të përditësojë literaturën për të gjitha lëndët në këto dy programe.
“Metodat e vlerësimit mungojnë pothuajse për të gjitha lëndët si dhe plani i detajuar i mësimdhënies për të gjitha javët e semestrit. Për disa lëndë, literatura bazë e studimit është e vjetruar, veçanërisht në fushat me zhvillim të shpejtë, ku nuk përfaqëson zhvillimet e fundit”, thuhet në raport.
Studentët, në kushte anonimiteti, kanë thënë se librat me përmbajtje të moçme nuk përbëjnë problem për ta, pasi kur kanë nevojë gjejnë literaturën bashkëkohore në internet.
“Tash ne gjatë gjithë kohës kemi qasje në internet, e gjithçka mundemi me këqyr aty pa pasur nevojë për librin”, ka thënë një nga studentët në vitin e dytë të studimeve në drejtimin: Komunikacion dhe transport.
Dekani Ahmet Shala ka pranuar që çështja e literaturës është problem i vjetër në Fakultet, por ka theksuar se në të gjitha programet janë munduar të bëjnë përditësime.
“Është përgjegjësi e profesorit që mban lëndën që literaturën ta përditësojë, ata nuk kanë thënë që nuk bën të qëndrojë aty një libër i vitit 1980, mirëpo duhet ta kemi edhe një të vitit 2020, 2021. Në këtë kuptim ka qenë vërejtja, që përveç literaturave bazike, literatura e pranuar qe një kohë të gjatë, të ketë një freskim me literaturat e reja dhe me literaturat bashkëkohore”, ka thënë ai, duke shtuar se për disa lëndë si matematika e detajet për makinat nuk kanë ndryshuar, e që sipas tij, nuk nevojitet përditësim i literaturës.
Për këto dy programe, të cilët kanë fituar riakreditimin për pesë vjet, Fakulteti ka kohë deri më 30 shtator të dërgojë planin për zbatimin e rekomandimeve. Në rast se rekomandimet nuk përfillen, sipas Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Akreditimin, programit studimor rrezikon t’i revokohet akreditimi.
“AKA-ja mund të rishqyrtojë akreditimin e dhënë në çfarëdo kohe dhe/apo më pas të tërheqë vendimin e saj për akreditim në rastet si në vijim: Nëse raporti i monitorimit nga vlerësuesit e jashtëm ndërkombëtarë konstaton se rekomandimet për akreditim nuk janë implementuar sipas afateve kohore të përcaktuara në raport”, thuhet ndër të tjera në ligjin Ligjin për Agjencinë e Kosovës për Akreditim.
Në raport është vlerësuar se kurrikula mbulon një gamë të gjerë kualifikimesh të nevojshme për të punuar në këto drejtime si dhe për të vazhduar studimet në këtë fushë në nivelin master. Ndër të tjera, në planprogramin e dorëzuar nga Fakulteti për drejtimin “Komunikacion dhe Transport” shkruan se studentët gjatë studimeve do të njihen edhe me teknologjitë inteligjente, të cilat do t’i hasin drejtpërdrejt në lëndën zgjedhore “Smart Mobility”.
Ekspertët kanë sugjeruar se fakulteti duhet të shqyrtojë përfshirjen më të madhe të këtyre teknologjive edhe në lëndët e detyrueshme, pasi në këtë mënyrë studentët do të njihen me zhvillimin e teknologjive të transportit dhe komunikacionit për të ardhmen.
Kritika kanë dhënë edhe për punën kërkimore të stafit akademik. Gjatë periudhës 2017-2022, shumica e anëtarëve të stafit akademik kanë publikuar mesatarisht një publikim kërkimor shkencor/aplikativ ose rezultat/produkt artistik në vit.
“Në bazën e të dhënave Scopus dhe nga CV-të e stafit, pas shqyrtimit të të gjithë profesorëve, zbuluam se disa profesorë nuk e plotësojnë këtë kusht, disa kanë qenë plotësisht joaktivë në fushën e kërkimit për disa kohë, ndërsa të tjerët nuk plotësojnë numrin mesatar të kërkuar të punimeve”, thuhet në raportin e ekspertëve.
Krahas kritikave, ekspertët kanë lavdëruar infrastrukturën e fakultetit, por kanë rekomanduar që të vazhdohet me renovime brenda objektit.
“Aktualisht ndërtesat FMI përfshijnë 2 amfiteatro me sipërfaqe 250 m2 secila, 12 klasa me mesatarisht 50m2, 11 laboratorë mesatarisht 50 m2 dhe një bibliotekë 180 m2. Edhe pse 14 salla për leksione mund të konsiderohen pak për 10 programe me gjithsej 25 grupe vjetore, studentët kanë konfirmuar se kjo aktualisht nuk është një problem. Kjo mund të bëhet një problem me ngritjen e programeve të reja”, thuhet në raport.
Lëvdatë tjetër për Fakultetin, ekspertët kanë dhënë për bashkëpunimin profesor-student.
“Si në takimet me pedagogë ashtu edhe me studentë, informacioni i marrë për marrëdhënien student-mësimdhënës është në harmoni”.
Sipas ekspertëve, studentët kanë vlerësuar gatishmërinë e profesorëve për konsultime, përmes e-mailit, Viberit dhe në takime fizike.
“Studentët theksuan gjithashtu gatishmërinë e mësuesve për të dhënë mbështetje shtesë kur është e nevojshme”, thuhet tutje në raport.
Dekani Shala ka mirëpritur rekomandimet e ekipit të ekspertëve, mirëpo edhe ka dhënë kritika për huçje të disa fakteve, sipas tij. Në raport shkruan se programi “Dizajn inxhinierik dhe Automjete” në nivelin master edhe pse është akredituar nuk ka filluar si pasojë e mungesës së studentëve. Shala ka thënë se kjo nuk qëndron.
“Kishin marr informatën se, për shembull ‘Dizajn Inxhinierik dhe automjete’ ka programin e akredituar në master, por nuk zhvillohet. Gjenerata e vijon mësimin diku prej 20 studentëve dhe në draft-raport e kemi vërejtur këtë dhe e kemi argumentuar se programi ka filluar dhe është në vijim”, ka treguar Shala.