Mësimi në shkollën e mesme të ulët” Ibrahim Rugova” në Obiliq sot nuk po mbahet, kjo pasi që mësimdhënësit dhe drejtoria e kësaj shkolle kanë shkuar në vizitë në Shqipëri, ndonëse dita e sotme është ditë pune.
Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress, punëtori teknik në këtë shkollë, Xhavit Hamiti, i cili tha se ditën e sotme të punës stafi akademik i kësaj shkolle e kanë lidhur me ditën e nesërme të pushimit për 1 maj.
Haliti tha se sot në shkollën fillore “Ibrahim Rugova” nuk po mbahet mësim pasi që drejtoria e kësaj shkolle së bashku me mësimdhënësit, ndonëse dita e sotme është ditë pune, ata kanë shkuar për të vizituar Shqipërinë.
Sipas tij, leje për këtë kanë marrë edhe nga drejtoria e arsimit në komunën e Obiliqit, ndërsa mësimin e humbur do e zëvendësojnë me mbajtje mësim gjatë të shtunave tjera.
“Për shkak se e kanë lidhur festën për shkak se ata kanë shkuar në Shqipëri, ndërsa lejen e kanë marrë nga komuna e Obiliqit. Ditët e humbura do të zëvendësohen të shtunave të ardhshme. Në Shqipëri kanë shkuar drejtoria dhe mësimdhënësit e shkollës, por jo edhe nxënësit, u shpreh Hamiti.
Edhe
Konfuzion në shkolla, disa e vazhdojnë mësimin e shumica e nisin pushimin pranveror
Lidhur me këtë çështje drejtori i drejtorisë së Arsimit në komunën e Obiliqit, Agim Spahiu për KosovaPress ka bërë të ditur se drejtoresha e shkollës së mesme të ulët “Ibrahim Rugova”, Shukrie Gashi ka marrë leje nga drejtoria e arsimit për të pushuar këtë të hënë.
Sipas Spahiut, ditën e sotme të humbur të mësimit, mësimdhënësit e kanë zëvendësuar paraprakisht gjatë një të shtune të kaluar.
“Paraprakisht ka qenë një dilemë se kjo ditë do të lidhet me festën e nesërme. Ditën e hënë e kanë zëvendësuar, paraprakisht me një të shtune të kaluar dhe kanë organizuar pushimin për në Shqipëri duke kontraktuar një kompani turistike”, ka deklaruar Spahiu.
Veprim jo të duhur e kanë konsideruar banorët e Obiliqit, Enver Prenku. Ai ka thënë për KosovaPress se nuk e sheh të arsyeshme që të humbet mësimi.
“Nuk është e drejtë. Mua më duket se nuk është e drejtë pasi ne në fshat i mbajmë orët edhe orët e humbura i kemi mbajtur gjatë dimrit që ka pas thënë edhe ministri i Arsimit që mos me mbajt mësim dhe ne tani jemi duke i realizuar ato orë, nuk e di për çfarë arsye këta nuk mbajnë mësim. Duhet me qenë për të gjithë njëjtë. Se unë jam prind për shembull fëmija im mëson aty në shkollë dhe me humb mësimin, nuk po e shoh të arsyeshme”, tha ky banor i Obiliqit.
Edhe Nazmi Durmishi, veteran i arsimit në këtë komunë, veprimin e mësimdhënësve të kësaj shkolle e ka konsideruar si të gabuar.
Sipas tij, nuk është në rregull që nxënësit të humbin mësim për fajin e mësimdhënësve të cilët ditën e punës e shfrytëzojnë për pushime.
“Aspak nuk kanë vepruar drejtë. Pse? Pse e vetmja shkolla “Ibrahim Rugova” me bë këtë gjest. Po të kishin bashkëpunuar me shkollat e tjera do të kishte kuptim por krye në veti të shkojnë në Shqipëri e me humb mësimin nuk është në rregull”, u shpreh Durmishi.
Edhe
Kolegjiumi i Drejtorëve në Obiliq kërkon të ndalet greva në arsim
E derisa nuk po mbahet mësimi në shkollën e mesme të ulët “Ibrahim Rugova”, aty po zhvilloheshin disa punime ku po rinovoheshin dy sallat sportive të kësaj shkolle.
Ndërsa në shkollat tjera të komunës së Obiliqit mësimi po zhvillohej normalisht.