Arbëri

Ndryshimi i orarit – prindërit nuk i dërgojnë fëmijët në shkollën “Mihal Grameno”

Prindërit e nxënësve të klasës së pestë kanë vendosur të mos i dërgojnë fëmijët në shkollën “Mihal Grameno”, për shkak se me ndryshimin e orarit, atyre u janë shkaktuar shumë pengesa. Drejtori i Arsimit në Komunën e Fushë-Kosovës, Fatlum Berisha, ka thënë se deri te ky vendim ka ardhur për shkak të rënies së suksesit së klasave të katërta gjatë gjysmëvjetorit të parë. Ai ka premtuar zgjidhje javën e ardhshme

Nxënësit e klasave të pesta të shkollës fillore “Mihal Grameno” në Fushë-Kosovë, prej gati dy javësh nuk janë duke e ndjekur mësimin. Po e bëjnë këtë, pasi drejtori me Këshillin Drejtues të shkollës ua ndryshuan orarin mësimor në gjysmëvjetorin e dytë, e prindërit, të revoltuar me vendimin që u mor pa koordinim me ta, pas disa paralajmërimeve i ndaluan fëmijët nga shkolla.

Dy prej nxënësve erdhën të premten së bashku me prindërit në oborr të shkollës, por nuk hynë në klasë. Ata thonë se ndryshimi i orarit po iu pengon në ndjekjen e aktiviteteve jashtëshkollore.

“Jam notare qe gjashtë vjet. Tash kam gara jashtë shtetit edhe duhet me i ndërpre, për shkak të orarit që nuk po pranon drejtori”, tha njëra nga nxënëset. “Pa na tregu na e kanë ndryshuar orarin, nga ora 15 deri në 19. Krejt nxënësit kemi aktivitete shkollore, plus është terr jashtë kur shkojmë në shtëpi”.

Prindërit e nxënësve u mblodhën para shkollës në shenjë pakënaqësie me këtë vendim. Thanë se nuk gjetën mirëkuptim e gjuhë të përbashkët nga drejtuesit e shkollës, çka i shtyu në bojkot të mësimit.

Majlinda Maloku-Lecaj, që ka fëmijën në klasën e pestë, ka thënë se i kanë njoftuar drejtuesit e shkollës paraprakisht për vendimin e tyre.

“Prindërit nuk kanë shkuar në bojkot të mësimit që në ditën e parë. Tri ditë e para, d.m.th., e merkurë, e enjte dhe e premte që ka filluar gjysmëvjetori i dytë, prindërit i kanë sjellë fëmijët në oborr të shkollës, të cilët padrejtësisht nuk janë lejuar të hyjnë brenda në shkollë e mendojmë që është e padrejtë sepse nuk ka pasur një vendim të shkruar që e fakton d.m.th. që Këshilli Drejtues dhe drejtori e kanë ndryshuar orarin mes klasave të katërta dhe të pesta”, ka thënë Maloku-Lecaj.

Edhe Jetmira Kolbibaj-Gashi e ka quajtur të padrejtë ndryshimin e orarit në mënyrë të njëanshme.

“Padrejtësisht u është ndërruar orari mësimor në gjysmën e vitit shkollor edhe është pothuajse java e dytë që ata nuk po shkojnë në shkollë për shkak të pakënaqësisë në lidhje me këtë ndërrim orari, sepse ndërrimi i orarit të shkollës sjell edhe pasoja të tjera, ndërrimin e orareve të shumë kurseve, humbjen e shumë kurseve të tjera dhe ndryshime të tjera”, ka thënë ajo.

Bashkim Paqarizi fajësoi menaxhmentin e shkollës për mungesë vullneti për bashkëpunim.

“Edhe unë dhe të gjithë prindërit e tjerë jemi të indinjuar me gjendjen që shkolla apo këshilli drejtues ka sjellë situatën deri në këtë pikë. Ne dy javë para se të përfundojë gjysmëvjetori i parë kemi marrë një njoftim në formën, në aplikacionin në viber se do të ndryshohet orari pa u konsultuar, pa diskutuar me asnjë qoftë prej prindërve, qoftë prej kryesisë për të diskutuar se do të jetë ky ndryshim”, ka thënë ai. “Andaj ky vendim i Këshillit Drejtues neve na ka qitë para një akti të kryer. Kemi menduar se do të gjejmë një bashkëpunim, se orari do të kthehet ashtu siç ka qenë, për shkak se në fillim të vitit ne nuk kemi qenë të njoftuar se do të bëhet ky ndryshim, andaj nuk kemi dashur që të vijmë në këtë situatë, por ka qenë ndoshta kryeneçësi e Këshillit Drejtues apo edhe drejtorit të shkollës që këtë gjendje të mos e ndryshojë”.

KOHA ka tentuar të marrë një qëndrim nga drejtori i shkollës, Sadri Emini, por ai nuk ka qenë i qasshëm.

E drejtori i Arsimit në Komunën e Fushë-Kosovës, Fatlum Berisha, ka thënë se deri te ky vendim ka ardhur si pasojë e rënies së suksesit të klasave të katërta gjatë gjysmëvjetorit të parë. Ai ka premtuar zgjidhje të ngërçit javën e ardhshme.

“Normalizimin e gjendjes ne do ta arrijmë në bashkëpunim edhe me Këshillin e Prindërve, me Këshillin Drejtues dhe menaxhmentin e shkollës. Kështu që në ditën e hënë do të normalizohet në këtë ndërrim apo në atë ndërrim, ne do t’i ftojmë dhe i kemi ftuar të gjithë akterët dhe do të diskutojmë për zgjidhjen më të mirë, duke pasur parasysh që mësimi për nxënësit është shumë i nevojshëm pavarësisht pretendimeve të tjera, mësimi do të jetë prioritet”, ka thënë Berisha.

Përderisa në vise rurale shumë shkolla janë duke u mbyllur në mungesë të nxënësve, në qytete, shumë sosh si “Mihal Grameno” e Fushë- Kosovës organizojnë mësimin në tri ndërresa, shkaku i mbipopullimit me nxënës.