Bashkë me nxënësit, edhe mësimdhënës të shumë shkollave nuk janë duke u paraqitur në vendin e punës gjatë pushimit mes dy gjysmëvjetorëve. Po veprojnë kësisoj në kundërshtim me Ligjin e Punës, i cili parasheh që pushimin mund ta shfrytëzojnë vetëm gjatë verës.
Pushimin dimëror për nxënësit janë duke e shfrytëzuar edhe mësimdhënësit.
Ekipi i KOHËS vizitoi pesë institucione arsimore në Komunën e Prishtinës për të parë se si e kalojnë një ditë mësimdhënësit në kohën kur nxënësit gjenden në pushim.
Në disa shkolla të pranishëm ishin vetëm punëtorët teknikë e në disa qëndronte edhe stafi menaxherial.
Sekretarja e shkollës “Faik Konica”, Valbona Krasniqi, ka thënë se mësimdhënësit janë liruar për shkak të renovimeve që janë duke u zhvilluar në objekt.
“Për shkak të renovimeve që janë duke u bërë në objektin e shkollës ne i kemi liruar mësimdhënësit dhe të gjitha obligimet administrative që i kanë janë duke i përfunduar nga shtëpia”, ka deklaruar Krasniqi.
Zëvendësdrejtoresha në shkollën “Naim Frashëri”, Drita Qorolli-Abazi, i ka thënë KOHËS se mësimdhënësit kanë qenë të pranishëm aty herët në mëngjes.
“Më herët kanë qenë mësimdhënësit, për momentin nuk janë këtu”, ka thënë Abazi, duke shtuar se mësimdhënësit kanë qenë aty për t’i kryer obligimet e tyre administrative që i kanë në plotësimin e të dhënave të vlerësimit të nxënësve gjatë gjysmëvjetorit të parë shkollor.
E në shkollën fillore “Elena Gjika” dhe shkollën “Meto Bajraktari” nuk qenë të pranishëm askush nga stafi menaxherial.
Ligji i Punës nuk parasheh pushim dimëror për mësimdhënësit.
“Pushimi vjetor i arsimtarëve të të gjitha niveleve, edukatorëve dhe personelit tjetër arsimor dhe administrativ nëpër shkolla dhe në institucionet e tjera edukativo-arsimore, shfrytëzohet në kohën e pushimeve verore të shkollave dhe mund të zgjasë derisa të zgjasë pushimi nëpër institucionet edukativo-arsimore”, shkruan në nenin 33 të këtij ligji.
Për dallim prej të tjerëve, disa mësimdhënës të rinj nga shkolla të ndryshme kanë vendosur që këtë periudhë ta shfrytëzojnë për zhvillim profesional.
“Komuna e Prishtinës e ka organizuar për të gjithë mësimdhënësit që këtë vit kanë hyrë në tregun e punës në institucionet arsimore, tani ku jemi duke folur këtu në shkollën ‘Xhemail Mustafa’ janë duke u mbajtur trajnimet bazike për kurrikulën e re”, ka thënë Skender Halimi, trajner i Kurrikulës.
Njohës të arsimit kritikojnë nivelin lokal dhe atë qendror për mungesën e mësimdhënësve në shkolla gjatë pushimit të dimrit.
Rinor Qehaja, drejtor i institutit “EdGuard”, ka thënë se koha e pushimit në mes dy gjysëmvjetorëve do të duhej të shërbente për trajnimin e mësimdhënësve.
“Ne do të donim shumë që në këtë periudhë të shihnim shumë iniciativa nga ana e komunave dhe MASHTI-t sa i përket zhvillimit profesional të mësimdhënësve. I kemi disa trajnime spontane që janë duke u bërë për përgatitje për kurrikulë në disa komuna, mirëpo krejt kjo nuk është shumë e theksuar”, ka deklaruar Qehaja.
Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit hoqën përgjegjësinë nga vetja për këtë situatë.
Sipas tyre, për mosplanifikimin e aktiviteteve dhe trajnimeve, përgjegjësia u takon drejtorive komunale të arsimit dhe shkollave.
“Pushimi për punëtorët e arsimit rregullohet me Ligjin e Punës, konkretisht neni 33 “Pushimi vjetor për punëtorët e arsimit”, pikat 1 dhe 2. Të gjitha planifikimet e tjera për punë janë përgjegjësi e drejtorive komunale të arsimit, si dhe shkollave”, është thënë në përgjigjen e MASHTI-t për KOHËN.
Pushimi dimëror ka filluar më 15 janar dhe përfundon më 23 janar.