Arbëri

Mësimdhënësit udhëtarë në Prizren sërish po përballen me telashe

Mësimdhënësit udhëtarë të Komunës së Prizrenit sërish po përballen me telashe sa i përket pagesës së shpenzimeve të tyre të udhëtimit, që parashihet të kryhet nga organet komunale. Kontrata përkatëse, të cilën Komuna e Prizrenit e kishte lidhur me operatorin ekonomik një vit më parë, ka skaduar në fund të muajit prill, gjë që ka lënë mësimdhënësit udhëtarë pa kompensim për shpenzimet e udhëtimit. Këta mësimdhënës të mërkurën kanë kërkuar që shpenzimet e tyre të udhëtimit të mbulohen edhe në muajt e fundit të vitit shkollor.

Në protestën e organizuar para ndërtesës së Kuvendit të Komunës së Prizrenit kanë marrë pjesë dhjetëra mësimdhënës udhëtarë të Komunës së Prizrenit. Me këtë rast ata kanë paraqitur pakënaqësinë për shkak të rishfaqjes së problemit lidhur me mbulimin e shpenzimeve të tyre të udhëtimit. Para ndërtesës komunale kanë qëndruar mbi 15 minuta. Në mungesë të kryetarit të komunës dhe drejtoreshës së arsimit, të cilët ndodhen në udhëtim jashtë vendit, mësimdhënësit udhëtarë kanë zhvilluar një takim me drejtorin e Administratës, Osman Hajdari.

Në takimin e zhvilluar në sallën e KK-së, përfaqësuesit e këtyre mësimdhënësve kanë bërë të ditur se kontrata e Komunës së Prizrenit për këtë shërbim ka skaduar në fund të muajit prill, dhe se muajt maj e qershor tani mbeten të pambuluar.

Përfaqësuesi i Shoqatës së mësimdhënësve udhëtarë, Bejtush Ibrahimi ka pohuar se shpenzimet e udhëtimit aktualisht nuk po paguhen për mësimdhënësit, dhe se zyrtarët përgjegjës komunalë duhet të gjejnë një zgjidhje për këtë çështje.

“Problemi i vetëm është që të kompensohen mësimdhënësit udhëtarë për këta dy muaj, d.m.th maji dhe qershori, që kanë mbetur të këtij viti shkollor. Nuk ka kërkesa që të kompensohet viti i kaluar, apo diçka tjetër, por këto dy muaj ditë. Sepse nuk janë përgjegjës mësimdhënësit udhëtarë pse tenderi hapet me 28 prill dhe mbyllet me 28 prill. Por brenda kontratës tenderuese specifikohet shumë mirë se mjetet alokohen për 185 ditë pune", ka thënë ai.

Ibrahimi ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një problem kronik që shoqëron secilën qeverisje në nivel lokal, por se në të kaluarën këto probleme kanë qenë më afatshkurtra. “Ne sot e bëmë një paralajmërim... Nuk jemi opozitë, por jemi të detyruar prej hallit. Çka është mjaft është mjaft, sepse mjetet e ndara, nuk janë ndarë sot për nesër, por është linjë buxhetore e ndarë në këtë Kuvend të Komunës”, ka deklaruar Ibrahimi.

Në anën tjetër drejtori i Administratës, Osman Hajdari ka bërë të ditur se Qeveria komunale ka vullnet për ti plotësuar të drejtat e mësimdhënësve udhëtarë, por se duhet ti analizojë aspektet ligjore dhe financiare.

"Për shkak të rrethanave të pandemisë, për shkak të procedurave tenderuese dhe ankimit, që kanë qenë në vitin e kaluar, kontrata është nënshkruar me 28 prill të vitit të kaluar dhe ka skaduar me 28 prill. Janë disa ditë të cilat nuk janë mbuluar me këtë kontratë. Por natyrisht është zotim i kryetarit dhe drejtoreshës së arsimit dhe neve si zyrtarë publikë të gjejmë forma dhe mekanizma që thjeshtë këta mësimdhënës të kompensohen për ditët e tyre”, ka thënë Hajdari.

Sipas shifrave të prezantuara në këtë takim nga Shoqata e mësimdhënësve udhëtarë në Komunën e Prizrenit janë afër 1.000 mësimdhënës udhëtarë.